Në kuadër të vizitës zyrtare në Athinë, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Kryetaren e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, zhvilluan një vizitë në klasën e gjuhës shqipe pranë New York College, ku prej dy vitesh funksionon mësonjëtoria “Kostandin Kristoforidhi”.
E hapur në vitin 2024, kjo ishte mësonjëtoria e parë e gjuhës shqipe në këtë institucion në Athinë, një iniciativë e ndërmarrë nga Shoqata e Elbasanit, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan dhe Këshillin e Qarkut, me mbështetjen e komunitetit shqiptar në emigracion. Që në nisje, rreth 30 nxënës iu bashkuan kësaj nisme, duke krijuar një hapësirë të qëndrueshme për mësimin e gjuhës shqipe dhe njohjen me kulturën shqiptare.
Gjatë vizitës, delegacioni u takua me nxënës dhe mësues nga Elbasani, të cilët me përkushtim vijojnë të ruajnë e të përcjellin gjuhën, traditën dhe identitetin kombëtar te brezat e rinj. Sot, mësonjëtoria është kthyer në një pikë referimi për komunitetin shqiptar në Athinë.
Në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre të vyer, Kryetari Llatja u dorëzoi “Mirënjohjen e Qytetit” dy mësueseve, znj. Valentina Bozhiqi dhe znj. Sonila Lusho, për angazhimin e vazhdueshëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe identitetit kombëtar në diasporë.
Në fjalën e tij, Llatja theksoi se ruajtja e gjuhës shqipe jashtë vendit është një mision i përbashkët dhe një investim i çmuar për të ardhmen e fëmijëve që rriten larg atdheut.
Kjo vizitë rikonfirmon angazhimin institucional për të mbështetur çdo iniciativë që forcon lidhjen e diasporës me rrënjët, gjuhën dhe kulturën shqiptare.


























