Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja priti sot në zyrën e tij delegacionin e Universitetit të Jaen Spanjë, në kuadër të Javës Ndërkombëtare Erasmus+!
Në takim ishte e pranishme përveç delegacionit edhe Nenkryetarja e bashkisë Elbasam, Aulona Bylykbashi, Rektorja e Universitetit, Prof. dr. Elvira Fetahu, etj.
Përmes prezantimeve dhe diskutimeve, gjatë takimit u theksua rëndësia e programit Erasmus+ në forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e cilësisë akademike dhe zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare.
Kryebashkiaku Llatja, u shpreh se bashkëpunime të këtij niveli mes Universitetit të Elbasanit dhe partnerëve ndërkombëtarë janë një hap i rëndësishëm për arsimin, kërkimin shkencor dhe mobilitetin akademik. Investimi në dije dhe në të rinjtë tanë është investimi më i mirë për të ardhmen e Elbasanit dhe Shqipërisë.
Z.Llatja vuri theksin ndër të tjera se Bashkia Elbasan do të vijojë të mbështesë nismat që i japin mundësi të rinjve të studiojnë, të zhvillohen dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qytetit dhe vendit tonë.
Sakaq, edhe përfaqësuesit e delegacionit nga Universiteti i Jaen, edhe Rektorja Fetahu, në fjalën e tyre theksuan se këto takime synojnë forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe nxitjen e shkëmbimit të ideve.
Java e Erasmus+ solli në vëmendje pilarët e ndërkombëtarizimit, projektet e bashkëpunimit dhe mundësitë e financimit për institucionet e arsimit të lartë. Përmes prezantimeve dhe diskutimeve, u theksua rëndësia e programit Erasmus+ në forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e cilësisë akademike dhe zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare.
Edlira XHERRI /ELBASANINEWS.AL