Një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën arsimore është përmbyllur në qytetin e Elbasanit. Shkolla e re 9-vjeçare “Kostandin Kristoforidhi” ka përfunduar ndërtimin dhe është gati të mirëpresë 650 nxënës dhe mësues në ambiente tërësisht të reja dhe bashkëkohore.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar nga afër përfundimin e punimeve, duke vlerësuar standardet e larta me të cilat është ndërtuar institucioni.
“Shkolla është ndërtuar sipas të gjitha standardeve europiane dhe përfshin klasa moderne, laboratorë të pajisur për lëndët shkencore, si dhe një palestër funksionale për zhvillimin e edukimit fizik dhe aktiviteteve sportive,” u shpreh kryebashkiaku Llatja.
Ministrja Manastirliu theksoi se investime të tilla janë pjesë e angazhimit për të garantuar një arsim sa më cilësor dhe të aksesueshëm për çdo fëmijë. “Me shkolla të reja dhe kushte bashkëkohore, po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë,” u shpreh ajo gjatë vizitës.
Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë investimesh në infrastrukturën arsimore në nivel kombëtar, me fokus përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe mësimnxënies në të gjitha nivelet.