Kryetari i Bashkisë së Elbasanit z. Gledian Llatja priti në zyrën e tij një përfaqësi nga GIZ Albania. Takimi pati një sërë diakutimesh, por fokusi i saj ishte krijimi i mundësive të bashkëpunimit në fushën e transportit dhe mobilitetit urban në Elbasan.
Z. Llatja shprehu kënaqësinë e tij për këtë nismë dhe mundësitë e bashkëpunimit, si një hap tjetër drejt vizionit “Green City” – për një qytet më të gjelbër, më të pastër dhe me më pak ndotje!
Sakaq, përfaqesuesit e Giz Albania theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi të ri me Bashkinë e Elbasanit për të përmirësuar dhe modernizuar transportin publik në këtë qytet.
Përpjekjet e përbashkëta do të fokusohen në rritjen e efikasitetit të shërbimit, vendimmarrjen e bazuar në të dhëna dhe përmirësimin e përvojës së pasagjerëve përmes iniciativave si optimizimi i rrjetit urban, ndjekja me GPS (Sistemi Global i Pozicionimit) e autobusëve, integrimi GTFS (Specifikimi i Përgjithshëm i të Dhënave të Transportit Publik) dhe planifikimi më i mirë i transportit.
Ky partneritet shënon një hap të rëndësishëm drejt një sistemi mobiliteti më të lidhur, të qëndrueshëm dhe të aksesueshëm për Elbasanin.