Me ftesën për të festuar Ditën e Verës aty ku e do tradita, në qytetin ku festa lindi dhe u trashëgua brez pas brezi, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, po përgatit gjithçka që festimet në këtë qytet të jenë të larmishme.

Kryebashkiaku Llatja,theksoi ne një postim ne rrjete sociale se”  festimet e dites së Veres do të përmbajnë muzike, këngë, valle, karnavale, një atmosferë që nuk duhet ta humbasësh për asnjë arsye! Ballokume me shije të pakrahasueshme,  ngjyra jete,  traditë dhe spektakël si askund tjetër! Më 14 Mars, e gjithë Shqipëria feston në Elbasan!  Eja edhe ti dhe bëhu pjesë e kësaj feste që tradita thërret!  E gjitha… Magjike!”

Bashkia e Elbasanit ka veshur qytetin me lulet, të cilat janë edhe simbol i Elbasanit. Janë parashikuar të organizohen koncerte, ekspozita e panaire.

E cilësuar si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore, më mirë se kudo tjetër në vendin tonë, ajo festohet vetëm në Elbasan. Mikpritja, ëmbëlsira e ballokumes, koncertet e ndryshme, e kthejnë Elbasanin në një qytet të festave dhe gëzimit, në çdo familje.

 

Në këto ditë, Elbasani, qyteti i shumë portave dhe sofrave, hap dyert dhe mirëpret me qindra miq, jo vetëm nga vendi, por edhe trojet shqipfolëse e më tej, për të festuar Ditën e Verës.

 

Tradita shekullore në Elbasanin e luleve në qytetin e artit, kulturës, arsimit, trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë vazhdon, ku sofrat e qytetit janë të shtruara për të gjithë miqtë për t’i uruar mirëseardhjen pranverës.

 

Si festë pagane, “Dita e Verës” shpreh adhurimin dhe simpatinë për natyrën dhe veprat e saj mbi tokë.

 

Ndaj Elbasani do të shndërrohet në kryeqendër të festimeve edhe këtë 14 mars, ku do të realizohen një sërë aktivitetesh artistike, për fëmijë të rinj e të rritur.

Edlira Xherri Elbasaninews.al