Çdo ditë, shumë herët, përpara se qyteti të nisë ritmin e tij të zakonshëm, ekipet e Autoritetit Shtetëror të Punëve (ASHP) janë në terren për t’u kujdesur që Elbasani të jetë më i pastër dhe më funksional. Pastrimi i rrugëve, mirëmbajtja e gjelbërimit, rregullimi i infrastrukturës urbane dhe kujdesi për hapësirat publike janë pjesë e një pune të pandërprerë, që zhvillohet çdo ditë nën drejtimin dhe kujdesin e kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.
Ky angazhim nuk është thjesht një proces teknik, por një filozofi pune që synon ta bëjë Elbasanin një qytet më të sigurt dhe më mikpritës për të gjithë. Qytetarët e kanë gjithnjë e më të prekshme këtë ndryshim, pasi përballen çdo ditë me një ambient të pastër, të gjelbër dhe të sistemuar.
“Nuk ka ditë pushimi kur bëhet fjalë për qytetin. Ekipet tona janë çdo ditë në terren dhe kujdesen që Elbasani të ketë standardet që meriton. Është një punë e madhe, por edhe një detyrim i joni ndaj komunitetit,” – është shprehur kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, duke vënë theksin te përgjegjësia e përditshme për qytetin.
Nga pastrimi i mbetjeve urbane, mbjellja e pemëve dhe mirëmbajtja e lulishteve, deri tek ndriçimi publik dhe siguria në rrugë, puna e bashkisë është e shpërndarë në të gjitha drejtimet. Qyteti i Elbasanit po përjeton një transformim të qëndrueshëm, i cili mbështetet jo vetëm te puna e ekipeve të ASHP-së, por edhe te vizioni i administratës vendore për një mjedis të shëndetshëm e modern.
Ky kujdes i përditshëm synon të krijojë jo vetëm një qytet më estetikisht të bukur, por mbi të gjitha një Elbasan ku qytetarët të ndihen mirë, të jetojnë në pastërti e siguri, dhe vizitorët ta shohin si një destinacion tërheqës.
Nga Edlira Xherri