/ATSH-DPA/ – Ceremonia e hapjes për Olimpiadën e 24-të Dimërore në Pekin filloi sot në një stadium gjysmë bosh për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe tensioneve politike.
Presidenti kinez, Xi Jinping dhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach mbërritën të veshur me maska për fytyrën dhe një numër i vogël personalitetesh të huaja të udhëhequr nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
I njëjti stadium ka parë gjithashtu hapjen magjepsëse të Lojërave Olimpike Verore të Pekinit 2008 me krerë të panumërt shtetesh, përfshirë presidentin e SHBA-së George W Bush.
Por, masat e rrepta të koronavirusit – të cilat penguan lejimin e një stadiumi të plotë – dhe një bojkot diplomatik nga disa vende perëndimore të udhëhequra nga SHBA në lidhje me politikën e Kinës për të drejtat e njeriut i dhanë ngjarjeve të sotme një ndjesi shumë të ndryshme.
Rreth 2 900 atletë nga 91 vende do të garojnë për 109 medalje ari në shtatë sporte me 15 disiplina nga e shtuna deri më 20 shkurt.
Në ceremoni nuk kishte ”yje”, këngëtarë apo kërcimtarë profesionistë, por 3 000 studentë si dhe qytetarë të thjeshtë nga provincat e Pekinit dhe Hebeit.
Se kush do ta ndezë flakën olimpike është një nga sekretet më të ruajtura./ a.jor.



























