ATSH/- Bukuria natyrore e Shqipërisë do t’ju lërë pa frymë. Për shumicën e turistëve, ky vend i vogël në Ballkanin Perëndimor është një enigmë – një vend që ndodhet në Evropë, por jo krejtësisht si pjesa tjetër e Evropës, shkruan Joel Balsam në një artikull të botuar në “Lonely Planet”.

Më pak i rafinuar. Ndoshta më i egër në skajet e qytetit. Dhe kjo është ajo që e bën udhëtimin këtu kaq tërheqës. Ka gjithashtu vendpushime ku ju mund ta filloni ditën tuaj pranë detit dhe ta përfundoni atë në male.

Aventura e ecjes fillon në Shkodër, një qytet i bukur në veriun e largët dhe porta hyrëse për në Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë.

Planifikoni vizitën tuaj me një itinerar katërditor:

Kur të mbërrini: Mbërrini në Shkodër sa më shpejt të jetë e mundur për të parë muzetë e saj interesante dhe për të shëtitur nëpër qytetin e vogël plot ngjyra.

Si të shkoni nga aeroporti në Shkodër: Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, merrni një autobus deri në Sheshin Skënderbej (400 lekë/4,60 dollarë amerikanë), pastaj merrni urbanin (40 lekë/0,50 dollarë amerikanë) për në Stacionin Rajonal të Autobusëve ku një furgon mund t’ju çojë në Shkodër për një orë e gjysmë (330 lekë/3,80 dollarë amerikanë).

Ose merrni me qira një makinë në aeroport dhe shkoni direkt atje.

Udhëtimi: Ecni në këmbë ose merrni me qira një biçikletë në “Shkodra Rent Bikes”. Pjesa tjetër e udhëtimit përfshin furgonë, një traget dhe një ecje njëditore mbi një qafë malore. Akomodimet në Shkodër mund t’i rezervoni së bashku me transportin tuaj, ose ta bëni vetë në faqen e internetit të trageteve të Berisha.

Ku të qëndroni: Në Shkodër, “Mi Casa Es Tu Casa” është hosteli i parë i Shkodrës dhe pronarja e tij, Alma, është një thesar njohurish dhe historish.

Në Valbonë, akomodohuni në “Villa Dini” – ku mund të pushoni, të shijoni ndarkën dhe mëngjesin dhe të niseni më pas – për ecjen e madhe të ditës tjetër.

Në Theth, “Bujtina Tinari” ka një vendndodhje të shkëlqyer në qendër të qytetit përballë kishës historike të qytetit.

Çfarë të merrni me vete: Merrni rroba pasi Alpet Shqiptare mund të kenë ende borë në male në qershor, ndërsa në të njëjtën kohë klimë shumë të nxehtë gjatë ditës.

Vishni këpucë të forta ecjeje dhe veshje që ju lejojnë të merrni frymë.

Gjithashtu, merrni shumë para në dorë (euro ose lekë) pasi pagesa me kartë nuk mund të kryhet.

Dita 1: Eksploroni Shkodrën

Mëngjesi: Më shumë se 4000-vjeçar, qyteti i Shkodrës është një nga qytetet më të vjetra të Evropës Lindore dhe sigurisht një nga më bukurit, me rrugë të mbushura me shtëpi me ngjyra pastel.

Nëse ndodh të arrini para orës 14:30, vizitoni Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës, i cili ndodhet në një ish-burg dhe qendër marrjeje në pyetje për të burgosurit politikë gjatë diktaturës gati gjysmë shekullore të Shqipërisë.

Muzeu paraqet shpjegime interesante që detajojnë se si Shkodra ishte një objektiv i veçantë për regjimin e Enver Hoxhës, pasi kishte kaq shumë njerëz dhe artistë të arsimuar në universitet.

Mos e humbisni Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi të Shkodrës, i cili kujton punën e Pietro Marubit (1832–1903) dhe trashëgimtarëve të tij, të cilët dokumentuan jetën shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.

Fotografia e parë e bërë në këtë vend daton në vitin 1858 – ku pasqyrohet konsulli italian.

Si ta kaloni ditën: Merrni me qira një biçikletë dhe pedaloni 4 kilometra (2,5 milje) në jug deri në Kalanë e Rozafës, një ish-fortesë ilire.

Kalaja është mjaft e shkretë këto ditë, por pamjet nga fortesat e saj të mbetura – përmes fshatrave bujqësore dhe vetë qytetit – janë të mrekullueshme.

Kaloni Urën e Bunës dhe për të gjetur një vend për të parë perëndimin e diellit mbi Liqenin e Shkodrës, liqeni më i madh në Ballkan.

Darka: Jo shumë larg Urës së Bunës është “Aleksi”, një restorant i bukur që ofron ushqime deti -i vendosur në një kodër që shikon nga Liqeni i Shkodrës.

Specialiteti këtu është krapi, i peshkuar nga liqeni, i servirur i pjekur ose nëse rezervoni paraprakisht, në një tavë.

Provoni bukën e misrit në salcë kosi, më e mira për t’u ngrënë me një sallatë të bollshme greke.

Pasi të errësohet: Kthehuni me biçikletë në qendër të Shkodrës. Një nga baret më të njohura në qytet është “Kultura”, një bar i cili është shumë më i qetë – kur uleni në tavolina anës rrugës.

Dita 2: Merrni tragetin e Liqenit të Komanit

Mëngjesi: Do t’ju duhet të zgjoheni herët, në orën 6:30 të mëngjesit – dhe një minibus do t’ju marrë nga hoteli juaj dhe për një orë e gjysmë udhëtimi do të mbërrini në qytet – ku do të merrni tragetin përgjatë Liqenit të Komanit, një rezervuar i krijuar si pjesë e një projekti hidroelektrik në vitet 1970.

Ndërsa udhëtimi zgjat të paktën tre orë, majat e maleve që ngrihen lart dhe kalimi pranë fshatrave dhe shtëpive bujqësore tepër të largëta, do t’ju ofrojnë një kënaqësi.

Varka ndalet në Fierzën e vogël, ku do të hipni në një minibus tjetër për një udhëtim që zgjat një orë – pergjatë një rruge që përkulet dhe kthehet si një gjarpër i çmendur, derisa të arrini në fshatin Valbonë.

Valbona është një fshat i vogël – me një seri shtëpish pritëse dhe bujtinash. Peizazhi i saj me majat malore dhe pyjet halore të thella që shtrihen në luginë – do t’ju lërë pa frymë.

Si ta kaloni ditën: Do të mbërrini në Valbonë rreth orës 13:00 për të vazhduar pjesën tjetër të ditës.

Ju mund të relaksoheni në shtëpinë tuaj të pritjes, ose të bëni një dush në qetësinë e ajrit të freskët malor, ose të ngrohni këmbët me një shëtitje të shkurtër pasdite.

Një shteg i vogël zgjat deri në fshatin e vogël me gurë, Kukaj, ku ndodhet një kafene e vogël që hapet gjatë pikut sezonit.

Darka: Çdo vend akomodimi në Valbonë shërben ushqim tradicional shqiptar për darkë.

Shijoni ushqimet vendase si tavë kosi, një lloj gjellë me mish qengji, vezë dhe kos.

Me fjalë të tjera, ushqim perfekt malor. Pas darkës, pushoni! Ju pret një shëtitje e gjatë ditën tjetër. Nëse keni nevojë për të fjetur, një gotë raki do ju vinte gjithmonë në ndihmë.

Dita 3: Ecje nga Valbona në Theth

Mëngjesi: Dita e tretë është pika kulmore – në çdo kuptim të fjalës – e udhëtimit tuaj. Zgjohuni herët, hani pak mëngjes dhe më pas lidhni ato çizmet e ecjes.

Përpara jush shtrihet një ecje e bukur pesë deri në shtatë orëshe (koha totale varet nga gjendja juaj fizike dhe vendndodhja e akomodimit) lart dhe mbi Qafën e Valbonës (1800m/1900ft), pastaj poshtë në fshatin Theth.

Nuk është një ecje veçanërisht sfiduese – shumë alpinistë malorë e bëjnë atë për herë të parë – por është mjaft e gjatë dhe disa pjesë në verë mund të jenë shumë të nxehta dhe të ekspozuara në diell (sidomos pjesa e parë nga Valbona, e cila ju çon përgjatë buzës së një shtrati lumi me gurë, gjysmë të thatë).

Kërkoni nga akomodimi juaj t’ju çojnë deri në fillim të shtegut nëse dëshironi të anashkaloni pjesën e mërzitshme të shtratit të lumit.

Si ta kaloni ditën: Rruga e ecjes është mjaft e qartë dhe ka shpesh shenja të kuqe dhe të bardha përgjatë rrugës.

Duhen rreth tre orë ngjitje nëpër pyllin e vjetër të halorëve për të arritur në qafë të malit.

Gjatë ngjitjes, do të kaloni pranë disa shtëpive të vogla prej guri që shesin pije dhe ushqime të lehta.

Duke zbritur në anën perëndimore të qafës së malit, shtegu kalon nëpër pyllin me hije pothuajse gjatë gjithë rrugës.

Më sipër pyjet janë halor me trung të fortë; më poshtë, ka pyje të vjetër ahu, me gjethe të gjelbra të ndezura në fillim të verës që kthehen në portokalli dhe të kuqe në tetor.

Darka: Pas një dite të gjatë do të mbërrini në Theth – një fshat i mbushur me shtëpi prej guri të fortë me çati argjili të vendosura midis një amfiteatri me maja shkëmbore dramatike, me një kishë të vogël prej guri dhe zalli në qendër të tij – që daton ne shekullit XIX.

Akomodohuni në një nga shtëpitë e mysafirëve. Darkat shpesh janë të përbashkëta, dhe  gjithmonë ka një bisedë të këndshme midis mysafirëve.

Dita 4: Kthimi në Tiranë ose eksplorimi i Parkut Kombëtar të Thethit

Mëngjesi: Shumica e turistëve kthehen në Shkodër me autobusin e orës 11:00, i cili ju çon për dy orë e gjysmë në një rrugë – që ngjitet përgjatë shpateve malore përpara se të mbërrijë në zonën bregdetare.

Nga Shkodra, mund të ktheheni në Tiranë me makinë ose autobus.

Si ta kaloni ditën: Si alternativë, merrni autobusin e orës 17:00 nga Thethi dhe kaloni ditën duke eksploruar Parkun Kombëtar të Thethit.

Një shëtitje 30-minutëshe ju çon në Ujëvarën mbresëlënëse të Grunasit, ku mund të bëni një zhytje freskuese.

Nëse shkoni shpejt, mund të ecni në këmbë deri te Syri i Kaltër i Thethit, – një burim natyror me ngjyrë blu që ushqehet nga një ujëvarë e vogël, por e rrëmbyeshme.

Gjatë rrugës së kthimit, merrni një taksi për t’u kthyer nga Nderlysaj për në Theth.

Darka: Kthehuni në Shkodër, shijoni një vakt në “Vila Bekteshi”, e cila shërben makarona, pica dhe mish të pjekur në skarë.

Më pas, ngrini dolli për aventurën tuaj në Alpet Shqiptare me kokteje në barin elegant “Gojë Gaditëse”. //a.i/