Lufta në Iran ka shkaktuar një “rritje të ndjeshme të kërkesës” për produktet energjetike ruse, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov

“Po shohim një rritje të ndjeshme të kërkesës për energji ruse për shkak të luftës në Iran. Rusia ka qenë dhe mbetet një furnizuese e besueshme si e naftës ashtu edhe e gazit, si e gazit të tubacioneve ashtu edhe e gazit natyror të lëngshëm. Ajo gjithashtu mbetet e aftë të garantojë vazhdimësinë e të gjitha furnizimeve të kontraktuara”, tha Peskov.

Komentet e tij erdhën pasi Shtetet e Bashkuara të enjten i dhanë Indisë një “përjashtim 30-ditor” për të blerë naftën ruse që aktualisht është bllokuar në det, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon të trazojë tregun e energjisë.

Para konfliktit me Iranin, SHBA-të e kishin qortuar Indinë për vazhdimin e blerjes së naftës së Rusisë, e cila ndihmon në financimin e luftës së Kremlinit në Ukrainë dhe kishin vendosur tarifa ndëshkuese për vendin.

Duke njoftuar për përjashtimin e përkohshëm, Sekretari i Thesarit Scott Bessent pretendoi se “masa qëllimisht afatshkurtër nuk do të ofrojë përfitim të konsiderueshëm financiar” për Rusinë.

Peskov tha se blerësit si India dhe Kina udhëhiqeshin nga “interesi i tyre kombëtar”.

“Ne bëjmë të njëjtën gjë. Ne vazhdojmë bashkëpunimin tonë, duke përfshirë energjinë dhe tregtinë e energjisë, si me Indinë ashtu edhe me Kinën”, tha Peskov.

Top Channel