ATSH/ Pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore në Lushnjë kanë nisur grumbullimin e pjeshkëve dhe nektarinave në Elbasan.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri të ditur se pas shqetësimit të fermerëve të Elbasanit pikat e grumbullimit në Lushnjë kanë nisur menjëherë grumbullimin e pjeshkës dhe nektarinës për ta tregtuar më pas në tregjet e ndryshme të Europës.

“Nisur nga shqetësimi i fermerëve të Elbasanit për mungesën e pikave të grumbullimit për tregtimin e prodhimeve të tyre, disa nga pikat e grumbullimit në Lushnjë kanë nisur menjëherë grumbullimin e pjeshkës dhe nektarinës për ta tregtuar më pas në tregjet e ndryshme të Europës”, u shpreh Balla në rrjetet sociale.

Në të gjithë vendin janë ngritur këto 7 vitet e fundit mbi 140 pika grumbullimi për produktet bujqësore.

Nëpërmjet Skemave Kombëtare të mbështetjes që mundësohen nga qeveria shqiptare pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore janë transformuar duke lehtësuar ndjeshëm punën e fermerëve.

Fermerët sot, falë ngritjes së këtyre pikave të grumbullimit nuk dalin më me çantë për të shitur në rrugë.

Produktet e grumbulluara, eksportohen masivisht në tregjet evropiane. /j.p/