Edlira Xherri

Në kuadër të aktiviteteve kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Teatri Skampa në Elbasan do të zhvillohet koncert-recitali “Lyra Femina”, një mbrëmje artistike që i dedikohet ndjeshmërisë, forcës dhe elegancës së gruas përmes muzikës.

Aktiviteti do të mbahet më 9 mars 2026, në orën 20:00, në hollin e teatrit, duke sjellë për publikun një atmosferë intime dhe artistike, ku do të ndërthuren interpretimet e muzikës klasike me elementë të vokalit lirik.

Në këtë koncert recital do të performojnë 8 violiniste, të shoqëruara nga pianistja Rea Zaimi, duke krijuar një harmoni të veçantë muzikore. Mbrëmja do të pasurohet edhe nga interpretimi i sopranos Erinda Agolli, zëri lirik i së cilës pritet t’i japë një dimension emocional programit artistik.

“Lyra Femina” synon të sjellë për publikun një përjetim të veçantë artistik, ku muzika bëhet simbol i delikatesës dhe fuqisë së figurës së gruas. Përmes tingujve të violinave dhe pianos, koncerti pritet të krijojë një atmosferë të ngrohtë dhe elegante, duke e kthyer këtë mbrëmje në një moment të veçantë kulturor për qytetin.

Organizatorët ftojnë qytetarët dhe dashamirësit e artit të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje muzikore, për të ndarë së bashku emocionet që sjell muzika në një aktivitet dedikuar gruas dhe rolit të saj në shoqëri.