ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Punë, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, tha sot se “rritja e pagave do të vijojë për personelin shëndetësor.

Në fjalën e saj në komision, Manastirliu tha se “pagat janë rritur me 63% që nga 2013, plus 6% që rritet tani”.

“Rritja e pagave është një objektiv i yni, i cili tashmë është një realitet dhe çdo vit ne jemi duke rritur pagat”, theksoi Manastirliu.

Duke i’u përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Manastriliu tha se numri i mjekëve të punësuar është rritur duke dyfishuar numrin e tyre për 1 mijë banorë.

“Ne përgjatë këtij viti për 2022 kemi të punësuar më shumë se 260 mjekë plus dhe ata specialistë, pra dhe 100 mjekët specialistë që përfunduan procesin e specializimeve këtë vit. Dhe më shumë se 700 infermierë në sistemin tonë shëndetësor, vetëm për 2022. Ndërkohë që nëse i referohemi shifrave, jo opinioneve dhe jo perceptimeve dhe jo çfarë kemi ditur 10 vjet më përpara, sepse kohët kanë ndryshuar. Kanë evoluar gjithashtu edhe historitë dhe ngjarjet që kanë ndodhur dhe ndodhin çdo ditë në sistemin shëndetësor publik, kemi kaluar nga një koeficient i cili ishte 1.2 mjekë për 1000 banorë, në rreth 2 mjek për 1000 banorë. Pra kemi dyfishuar numrin e mjekëve në sistemin shëndetësor” u përgjigj Manastirliu.

Duke folur për autonominë spitalore, Manastirliu tha se ambicia është që deri në fund të vitit të akreditohen rreth 100 spitale, klinika dhe qendra shëndetësore.

“Dua të them që jemi duke ecur me hapa të shpejtë përsa i përket aplikimit dhe implementimit të këtij. Kemi tashmë gati dhe çojmë në qeveri të gjitha aktet që i përkasin autonomisë spitalore, rregullores së autonomisë spitalore. Kemi bërë të mundur duke qenë se Spitali i Fierit në dispozitën e veçantë është një spital që do të përfitojë direkt autonominë menaxheriale. Nga data 1 janar do të fillojë aplikimi i autonomisë menaxheriale në Spitalin Rajonal Fier dhe paralelisht po punohet me të gjithë spitalet për akreditimin spitalor. Kemi përfunduar dhe japim certifikimin për 19 spitale publike, pra akreditohen ndërkohë që kemi një ambicie për të përfunduar deri në fund të vitit bashkë me spitalet dhe klinikat që përmenda 101 spitale dhe klinika pra flasim këtu dhe qendra shëndetësore të cilat akreditohen nëpërmjet strukturës sonë të Agjencisë Kombëtare të Standardeve dhe Cilësisë”, tha Manastirliu.

/k.s/