ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot se ka një ulje të kurbës epidemike dhe të rasteve me COVID-19, teksa bën apel për kujdes të shtuar.
Në një takim me prof. Tritan Kalon në Qendrën Spitalore të Tiranës “Nënë Tereza”, ministrja Manastirliu theksoi se “jemi në QSUT me një seri investimesh të reja që kemi bërë. Por takova Prof. Kalon edhe për të marrë një informacion se ku jemi gjithë këtë situatë të pandemisë në raport me shtrimet në spitalin Infektiv edhe ne spitalin Covid3, ku vijon që të ketë një numër pacientësh të shtruar por që ajo që vlerësohet dhe vihet re është pikërisht që ka një ulje të rasteve dhe të kurbës epidemike. Situata në spitalin Infektiv nuk ka ardhur duke rritur numrin e pacientëve në mënyrë eksponenciale, por ka vend për të pasur më shumë kujdes dhe për vijimin e vaksinimit”.
Mjeku i Infektivit prof.Tritan Kalo bën apel për zbatim të rregullave antiCOVID dhe vaksinim, teksa e quan situatën aktualet si “bishtin e pandemisë”.
“Jemi në kohën kur ka shtrirje të pandemisë, ajo që quhet “bishti i pandemisë” i cili jep shtrirje të numrit të rasteve ose mund të jetë dy-trefishimi i saj por me ulje të agresivitetit.
Dhe kjo periudhë mund të zgjasë me muaj të tërë deri sa pandemia të transformohet në endemi. Por që si rregull duhet të mos neglizhojmë për asnjë sekondë elementët bazë të luftës kundër një infeksioni që kanë natyre pandemike, siç janë rregulla si vetëndërgjegjësimi, trinomi i famshëm, maskë, higjienë personale dhe kolektive dhe distancim shoqëror ku dhe kur është e mundshme, pa harruar dhe pa nënvlerësuar për asnjë sekondë vaksinimin si një armë e dobishme në uljen jo vetëm të rasteve por mbi të gjitha ç’është e rëndësishme të formave të rënda dhe uljen e vdekshmërisë nga kjo sëmundje që nuk është për t’u nënvlerësuar”, theksoi Kalo.



























