Slogani i Ditës Botërore të Diabetit për këtë vit është, “Nëse jo tani, kur?”.
Në Shqipëri janë të diagonstikuar rreth 78 mijë diabetikë, ndërkohë që çdo vit diagnostikohen afërsisht 4 mijë raste reja me diabet. Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze si: sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave- deri në insuficiencë renale e dializë, infeksione urinare, amputime të këmbëve etj. Tek të sëmurët diabetikë rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet.
Por diabeti ka edhe kosto ekonomike sepse diabetiku ka nevojë për medikamente, trajtime dhe ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me të paktën 25%.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaron se 83, 577 pacientë diabetikë kanë përfituar barnat falas nga Janari 2021.
Qeveria ka akorduar 19 milionë dollarë çdo vit për rimbursimin e barnave të personave me diabet.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Diabeti është shkaku i 7 i vdekjeve në Botë. Diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në Botë sot numërohen mbi 420 milionë diabetikë dhe në vitin 2030 mendohet se mund të jenë afërsisht 500 milionë diabetikë, apo 6.3 % e popullsisë së botës të jetë prekur nga diabeti.
Diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo ka pamundësia të veprimit të insulinës në qelizat e organizmit.
Sheqeri, që është burim energjie, për t’u përdorur ka nevojë për insulinë. Nëse insulina nuk prodhohet ose nuk funksionon mirë, sheqeri nuk thithet dhe rritet niveli i tij në gjak.
Diabeti i sheqerit është në fakt një sëmundje e vetme, dhe karakterizohet nga çrregullimi i prodhimit të insulinës.
Format e diabetit
Diabeti tip 1 haset në rreth 10-15 për qind të të sëmurëve me diabet. Ai shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës. Pacientët me Diabet tip 1, nuk mund të jetojnë
pa insulinë ,ndaj ky tip diabeti është quajtur insulinovartës. Diabeti tip 1 takohet kryesisht tek fëmijët dhe moshat e reja.Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur,shpejt, zakonisht mbas ndonjë gjendje virale,zbulohet me lehtësi, sepse shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku apo e detyrojnë të bëjë analizat.
Diabeti tip 2 është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Në këtë tip diabeti kemi prodhim jo në sasinë e duhur apo në kohën e duhur të insulinës. Diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç,por ai po haset gjithnje dhe me shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obeze. Ai përparon shumë ngadalë, shpesh herë i heshtur, pa treguar shenja për shumë vjet me radhë dhe zbulohet më me vështirësi. Ky tip diabeti nuk kërkon mjekim me insulinë por kërkon “çbllokimin” e insulinës së trupit nga faktorët që e pengojnë atë të veprojë,si mbipesha, obeziteti .
Diabeti i shtatzanisë, tip diabeti që shfaqet gjatë shtatzanisë. Ai ndodh në 2%-5% të grave shtatzane dhe mund të avancojë ose të zhduket pas lindjes. Diabeti i shtatzënisë është plotësisht i kurueshëm por kërkon një mbikqyrje mjekësore gjatë shtatzanisë.
Rreth 20%-50% e grave të prekura zhvillojnë diabet të tipit të dytë apo kanë rrezik të lartë për të bërë diabet tip 2 më vonë në jetë.Gratë shtatzëna duhet të kontrollojë gjithmonë gliceminë, sidomos nëse në familje ka një diabetik.
Diabeti mund të prekë çdo njeri. Në diabetin tip 2, shenjat e tij mund të jenë më të zbehta apo edhe mund të mungojnë për shumë vjet.Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë:Trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për të bërë diabet më shumë se te tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës; moshat mbi 45 vjeç,obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak,mungesa e aktivitetit fizik,ushqyerja jo e shëndetëshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri,gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme,personat që bëjnë infeksione të shpeshta,gratë me mykoza të vazhdueshme gjenitale ,etj.
Shenjat e diabetit
Disa nga shenjat e diabetit janë etje e shtuar, pra pirje uji në sasi të madhe,urinim i shpeshtë dhe në sasi të madhe ditën dhe natën,tharje goje, shtim oreksi por që shoqërohet me humbje peshe,lodhje më tepër se zakonisht,dhimbje stomaku,shikim i mjegullt, mungese e theksuar përqëndrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mezi mbyllen, infeksione të ndryshme.
Nuk duhet harruar asnjëherë se në shumicën e rasteve diabeti tip 2 mund të mos shfaqë fare shenja, mund të rrijë i heshtur për vite me radhë, dhe vetëm kur sëmundja e diabetit ka përparuar, shfaqen një sërë shenjash klinike, të cilat janë tipike dhe lehtësojnë shumë zbulimin e diagnozën e saj.


























