Është zhvilluar në Elbasan aktivitet i kthyer tashmë në traditë “Marshimi i Paqes”, organizuar nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar, i cili këtë vit përçoi mesazhe në mbrojtje të mjedisit.
Në fjalën e tij, Arben Ramkaj kryetar i QBNF theksoi se mjedisi nuk është një çështje e largët, por pjesë e drejtpërdrejtë e jetës së përditshme, duke nënvizuar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa një mjedis të shëndetshëm.
I pranishëm në marshim Drejtuesi Politik i PS për Qarkun Elbasan, z. Arbjan Mazniku, vlerësoi Elbasanin si një model të bashkëjetesës, tolerancës dhe ndërveprimit mes njerëzve përtej besimit të tyre, duke theksuar se kjo harmoni sociale është një vlerë e jashtëzakonshme që duhet ruajtur dhe forcuar, veçanërisht në kohët e sotme.
Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të bashkisë në mbrojtje të mjedisit, përmes shtimit të sipërfaqeve të gjelbra, investimeve në hapësira publike dhe futjes së modeleve të suksesshme të diferencimit të mbetjeve në shkolla. Ai nënvizoi se këto iniciativa synojnë ta bëjnë Elbasanin një qytet më të pastër, më të gjelbër dhe më të jetueshëm për qytetarët dhe veçanërisht për fëmijët.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, e cilësoi mjedisin si një prioritet strategjik kombëtar, duke theksuar se toka është pasuri e përbashkët dhe amanet për brezat që vijnë. Ai bëri thirrje për përgjegjësi të përbashkët në ruajtjen e tokës dhe natyrës, si bazë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies shoqërore.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të arsimit dhe edukimit mjedisor, me kontribute nga drejtues të institucioneve arsimore dhe prezantimin simbolik të nxënësve të shkollës “Qamil Guranjaku”, të cilët përcollën mesazhe ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit dhe formimin e qytetarit të përgjegjshëm.
Marshimi dhe aktiviteti u përshëndetën gjithashtu edhe nga përfaqësues të komuniteteve fetare në qytet, të cilët përcollën mesazhe të përbashkëta për paqen, bashkëjetesën, tolerancën dhe kujdesin ndaj mjedisit si vlerë e përbashkët shoqërore.