ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh se sot, “mbi 40.000 qytetarë janë përfshirë deri mbrëmë në orën 00:00 në Këshillimin Kombëtar”.

“40,236 i kanë dhënë opinionet e tyre përmes platformës www.keshillimikombetar.al dhe mbi 2,500 kanë kthyer me postë pyetësorët e plotësuar”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë falënderoi të gjithë duke i garantuar se opinioni i tyre do të dëgjohet me respekt.

“Faleminderit të gjithëve me garancinë se opinioni i tyre do të dëgjohet me respekt”, shkruan Rama, duke ftuar qytetarët që të japin mendimin e tyre në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar, përmes postës ose linkut www.keshillimikombetar.al .

“Le të dëgjojmë njëri-tjetrin si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz të këtij vendi, duke dalë nga llogoret politike për t’u bashkuar në hapësirën e debatit për shtëpinë tonë, Shqipërinë”, theksoi Rama.

Në një video të publikuar nga kryeministri thuhet se, “E keni plotësuar pyetësorin e Këshillimit Kombëtar. Ju mund të jepni mendimin tuaj për çështje me rëndësi strategjike për vendin, fare thjeshtë, online. Mjafton të klikoni në faqen www.keshillimikombetar.al. Lexoni me vëmendje pyetjet dhe zgjidhni njërën nga përgjigjet e dhëna për secilën prej tyre. Në fund klikoni tek dërgo dhe do t’ju shfaqet konfirmimi që pyetësori i plotësuar u dërgua me sukses. Kujdes, ju nuk mund të klikoni dërgo, pa u dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve”.