ATSH/- Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi sot Asamblenë e Përgjithshme të zakonshme, e cila për herë të parë u mbajt online. Kjo Asamble u zhvillua në zyrat e reja të Federatës Shqiptare të Futbollit të cilat ndodhen në Shtëpinë e Futbollit.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përcolli një falenderim të veçantë për mjekët, infermierët dhe gjithë stafin mjekësor, për sakrificat e mëdha dhe punën e tyre të palodhur.

”Kanë mirënjohjen e familjes së futbollit, të cilën ne e shprehëm duke i quajtur “kombëtarja jonë” për këtë periudhë. Falenderim edhe për të gjithë ata policë, ushtarakë, gazetarë, që gjithashtu punuan ditë e natë, pa u lodhur”, u shpreh Duka.

Ai përsëriti kërkesën për rikthimin e aktiviteteve sportive.

“Uroj që shumë shpejt ne t’i kthehemi terreneve sportive, fushave dhe stadiumeve tona për të rifilluar aktivitetin. Për ti dhënë sportdashësve atë, që iu mungon aq shumë: Kënaqësinë e lojës së dashur të futbollit”, tha Duka.
Duke folur për objektivat e arritur në vitin që lamë pas, Duka theksoi se rruga për krijimin e standarteve të reja dhe rritjen e nivelit të futbollit shqiptar është e mbarë.

“Ne jemi duke plotësuar ato objektiva që i kemi vënë vetes nëpërmjet projektit tonë Vizion 2030”, tha ai.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, janë kryer investime dhe vepra të mëdha të cilësore, me të cilat ne me të drejtë krenohemi.

“Ndërtimi i stadiumit “Air Albania”, ishte një arritje e madhe. Impianti modern 22.000 vendësh, i cili ka qenë ëndrra e çdo shqiptari, tani është një objekt i cili është vënë në shërbim të komunitetit të futbollit duke i bërë ndeshjet më cilësore. Ai ka sjellë impakt edhe në shtimin e numrit të tifozëve, gjë që e ka bërë garën më interesante. Ndërkohë në Kukës, po ndërtohet në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare një stadium 7000 vendesh në vlerën e 6.5 milionë eurove. Stadiumi do të jetë i kategorisë 3, ku mund të luhen ndeshjet, deri në fazën e grupeve të Champions League. E lashë jo pa qëllim në fund, një investim të madh të FSHF, “Shtëpinë e Futbollit”. Sot, kjo Asamble organizohet dhe drejtohet nga selia e re e FSHF. Do të kishim shumë dëshirë që ti zhvillonim punimet e saj në sallën e ndërtuar për këtë qëllim por kushtet e pandemisë nuk na lejonin një gjë të tillë. Stafi dhe e gjithë administrata e FSHF, tashmë kanë nisur punën nga kjo seli moderne e cila do të përfshijë brenda saj, dy ministadiume futbolli me nga 500 vende. Gjithashtu do të ketë edhe qendër rehabilituese moderne, ndërkohë që do të nisë edhe ndërtimi i një hoteli për ekipet kombëtare. Ky investim kap shumë e 9.5 milionë eurove”, tha Duka.

Por veç këtyre projekteve gjigande, Duka tha se kemi investuar edhe në shumë projekte të tjera të rëndësishme dhe me mjaft vlera për komunitetin e futbollit, jo vetëm në qytete të mëdha por edhe në në qendra të vogla si Bulqiza, Delvina etj.

“Sa i takon investimeve, “kali i betejës” për ne, është projekti për ndërtimin e 100 fushave në të gjithë Shqipërinë i cili do të sjellë një ndryshim rrënjësor të infrastrukturës dhe do ta përmirësojë ndjeshëm atë”, tha Duka.

Ndërkohë që synim kryesor, tha ai, mbetet evidentimi dhe ndjekja e supertalenteve, të cilët do të na japin garanci për ecurinë e mirë të kombëtares

Pasojat që solli epidemia e COVID-19, kanë qenë të rënda për të gjithë botën. Pandemia e shpallur, krijoi kufizime të shumta dhe ndaloi prej dy muajsh çdo aktivitet duke përfshirë edhe lojën tonë të dashur futbollin. /a.gjonaj/j.p/