Brenda një viti, sistemet elektronike dhe dixhitale publike janë dekonspiruar dhe sulmuar disa herë, që me rrjedhjen e të dhënave sensitive të qytetarëve të Tiranës në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, lista e pagave dhe së fundmi, një sulm armiqësor i organizuar nga jashtë.
Ekspertët e IT, të cilët kanë punuar në ngritjen e sistemeve dixhitale qeveritare, pohojnë se, qendërzimi i të dhënave në vitin 2017 pranë AKSHI i ka ekspozuar të dhënat ndaj sulmeve kibernetike, ndërkohë që nuk është punuar me seriozitet në drejtim të mbrojtjes.
Sulmet e tipit Ransomware pritet të kenë pasoja në të ardhmen, pasi dokumente me rëndësi mësohet se kanë humbur në Ministrinë e Jashtme, atë të Mbrojtjes, Financave etj. Kthimi i shërbimeve nuk e parandalon keqpërdorimin e dokumenteve në të ardhmen, pasi tani ata janë përvetësuar. Rriten shqetësimet për sulme të tjera
Sulmet kibernetike mbi sistemet dixhitale dhe kompjuterike të qeverisë shqiptare, në mes të korrikut, krijuan dëme, kostot e të cilave mund të jenë të larta në avancë, për shkak se hakerat kanë përvetësuar një seri dokumentesh të rëndësishme në institucione kyçe si Ministria e Jashtme, Agjencia e Kadastrës, Ministria e Financave, ajo e Mbrojtjes etj.
Qytetarët në të gjithë vendin dhe bizneset u përballën gjithashtu me kosto të larta nga mungesa e ofrimit të shërbimeve.
Qindra udhëtime u pezulluan për shkak se, qytetarët nuk shkarkuan dot vaksinat dhe nuk morën dot pasaportat. Komunikimi me Tatimet dhe Qendrën Kombëtare të biznesit u bllokua për disa ditë për të gjithë bizneset, të cilat ishin në kohën e dorëzimit të bilanceve të vitit 2021 dhe tani mund të përballen me gjoba, për shkak të mosrespektimit të afateve.
Përtej dëmeve të momentit, burimet brenda institucioneve të qeverisë, sidomos Ministrisë së Jashtme, Mbrojtjes dhe Hipotekës bëjnë të ditur se kanë humbur dokumente me rëndësi, të cilat edhe në ditën e shtatë pas sulmit nuk janë rikuperuar. Të njëjtat burime thonë se janë rritur shqetësimet për një valë të tretë sulmesh.
Në harkun e një viti, të dhënat sensitive të qytetarëve dhe dokumenteve qeveritare që administrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kanë rrjedhur shpeshherë. Fillimisht, një listë me të dhëna sensitive të qytetarëve të Tiranës u publikua në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, më pas një listë me pagat dhe targat e automjeteve dhe së fundmi, një sulm i gjerë që erdhi nga jashtë ka përvetësuar një seri dokumentesh të rëndësishme.
Një ekspert i teknologjisë me përvojë të gjatë pune në ngritjen e sistemeve qeveritare dixhitale tha se, rënia e sistemeve të shtetit shqiptar në formën që po i përjetojmë këto ditë është një kronikë e paralajmëruar që në 2017-n, kur Këshilli i Ministrave miratoi VKM Nr. 673, datë 22.11.2017 për riorganizimin e AKSHI-t.
Gjithashtu Shërbimi Informativ ka njoftuar se në vitit 2021 ka arritur të përballojë një numër të madh kërcënimesh kibernetike në perimetrat publikë. Në raportet zyrtare, SHISH deklaron se të gjitha këto kërcënime janë neutralizuar në fazën e hershme, ku është arritur të identifikohet targeti dhe burimi i kërcënimit. Aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë të vendeve joperëndimore, si dhe entitetet e lidhura me to, përbëjnë burimin kryesor të kërcënimeve, shoqëruar me aktivitet të përhershëm.
Objekt i sulmeve gjatë 2021 kanë qenë, në pjesën dërrmuese, bazat e të dhënave, infrastrukturat VoIP, si dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së depërtimit nëpërmjet serverëve C2 (Command and Control). SHISH ka njoftuar se hapësira kibernetike po shfrytëzohet edhe për operacione informative ndikimi, edhe për shkak se avantazhi dhe dimensioni i ndikimit është më i madh se sa kostoja e tyre dhe rreziku i ekspozimit./Monitor.al


























