Mbyllja e qeverisë amerikane, që tashmë ka hyrë në ditën e saj të 22-të, ka shënuar një moment kritik në historinë e vendit.
Pengesa politike mes republikanëve dhe demokratëve, kryesisht për çështjen e subvencioneve të kujdesit shëndetësor, po thellohet çdo ditë.
Me presidentin Donald Trump që pritet të nisë një turne në Azi, ligjvënësit dhe ndihmësit në Kongres paralajmërojnë mundësinë e një mbylljeje të shtrirë deri në nëntor, që mund të thyejë rekordet e mëparshme të pezullimeve, duke kaluar 35 ditët e mbylljes së qeverisë gjatë mandatit të parë të Trumpit.
Mediat e huaja raportojnë se gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump dhe senatorët republikanë kanë theksuar qëndrimin e partisë në pushtet për të mos negociuar me demokratët. Republikanët janë të vendosur të mos pranojnë asnjë lëshim mbi kërkesat për ndihmën shëndetësore.
Demokratët kërkojnë që si kusht për rihapjen e qeverisë të miratohet ndihma për 22 milionë amerikanë, që do të përballen me rritje të çmimeve të sigurimeve shëndetësore vitin e ardhshëm.
“Mesazhi ynë është shumë i qartë: Nuk do t’i nënshtrohemi shantazhit të tyre”, tha Trump, duke theksuar pozicionin e tij të palëkundur në këtë çështje.
Mbyllja e qeverisë ka krijuar pasiguri për miliona qytetarë dhe ka ndikuar negativisht në shërbimet qeveritare, duke e kthyer këtë krizë në një sfidë të madhe për të dyja partitë.
Top Channel