Për të katërtin vit radhazi, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural nisi sot fushatën për mbrojtjen e gështenjës nga grerëza e zezë, në zonën e Reçit, në Malësinë e Madhe.
Në nisjen e këtij procesi ishte e pranishme dhe ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural Frida Krifca.
Në takimin me specialistë e fushës dhe familje që kultivojnë gështenjën, ministrja Krifca përshëndeti punën e tyre ndër vite për ruajtjen e dhe kultivimin e gështenjës si një pasuri e trashëgimisë sonë natyrore, teksa shprehu angazhimin e MBZHR për mbrojtjen biologjike, me qëllim ruajtjen e cilësisë së gështenjës.
“Ne prodhojmë diku 5-6 mijë tonë gështenja në vit dhe janë rreth 2500 hektarë të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Në zonën e Malësisë së Madhe, në Reç, Gruemirë, në Shalë të Shkodrës, në masivin e madh të Tropojës, ne duam që ato familje bujqësore, të cilat jetojnë përmes gështenjës të kenë mundësinë të jetojnë me dinjitet. Ndërkohë, duam të forcojmë sektorin e gështenjës, sepse është një produkt i rëndësishëm edhe për eksportet bujqësore që ne kemi, pasi 25 % e prodhimit të gështenjës në rang vendi shkon drejt vendeve të Europës si eksport bujqësor”, tha ministrja.
“Kjo metodë e certifikuar nga BE siguron ruajtjen dhe mirëmbajtjen pa pasur nevojën e përdorimit të kimikateve duke garantuar cilësinë e këtij produkti shumë të kërkuar në tregun vendas dhe ndërkombëtar”, tha Krifca.atsh


























