Më 31 mars 2026, në ambientet e Hotel Real Scampis në Elbasan, u zhvillua eventi i parë i shpërndarjes dhe lançimit të projektit Erasmus+ V-ROADS, me temë “E ardhmja e aftësive në turizëm në Shqipëri”. Aktiviteti mblodhi një gamë të gjerë aktorësh nga institucionet publike, akademia, ofruesit e arsimit dhe formimit profesional (VET), si dhe bizneset e sektorit të turizmit, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi.

Eventi u koordinua nga CIFLA (Itali), në bashkëpunim me Tjetër Vizion dhe partnerët AKPA/QFPP Elbasan, Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe CIES Onlus. Qëllimi ishte prezantimi i projektit dhe metodologjisë së tij, përfshirë mikro-kredencialet ( mikro – kualifikimet) , si dhe përfshirja e aktorëve lokalë në identifikimin e nevojave për aftësi në sektorin e turizmit.

Aktiviteti nisi me regjistrimin dhe një sesion rrjetëzimi, duke vijuar me fjalët përshëndetëse nga përfaqësues institucionalë dhe vendorë, të cilët theksuan rëndësinë e investimit në aftësi dhe në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri. Në vijim, u prezantua qasja e projektit V-ROADS, ku Ivone Mataja (DANTE NGO Kroacia) solli konceptin e mikro-kredencialeve dhe lidhjen e tyre me Kornizën Europiane të Kualifikimeve, ndërsa Diana Kasa (Tjetër Vizion) shpjegoi metodologjinë e analizës së boshllëqeve të aftësive.

Një rol kyç në aktivitet patën të ftuarit dhe panelistët, të cilët kontribuan me ekspertizën dhe përvojën e tyre konkrete nga fusha të ndryshme:

Arian Cala (Tjetër Vizion) evidentoi sfidat në aksesin ndaj trajnimeve në sektorin turistik Artur Guni (Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor) theksoi rëndësinë e sigurisë dhe standardeve profesionale në turizmin natyror Elvis Kotherja (Elite Grup ) trajtoi sfidat e zbatimit të mikro-kredencialeve në sistemin e formimit profesional Krenar Xhemali (sipërmarrës turistik) ndau perspektivën e tregut të punës dhe vështirësitë në rekrutim Arjol Lule (Universiteti i Tiranës) theksoi rolin e akademisë dhe integrimin e kërkimit shkencor në turizëm

Gjithashtu, pjesëmarrësit përfshinin përfaqësues nga institucione publike dhe bashki, universitete si Universiteti i Elbasanit dhe Shkodrës, shkolla profesionale, si dhe biznese dhe operatorë turistikë, të cilët kontribuan aktivisht në diskutime dhe shkëmbim përvojash. Pas panelit, aktiviteti vijoi me një sesion interaktiv në grupe, ku pjesëmarrësit identifikuan aftësitë më të kërkuara në sektor, boshllëqet në ofertën e trajnimeve dhe mënyrat për ta bërë formimin profesional më praktik dhe të lidhur me tregun. U theksua nevoja për aftësi të kombinuara si komunikimi, gjuhët e huaja, aftësitë digjitale, marketingu, menaxhimi dhe etika profesionale. Eventi u mbyll me prezantimin e hapave të ardhshëm të projektit dhe ftesën për bashkëpunim të mëtejshëm. Pjesëmarrja e gjerë dhe angazhimi aktiv i të gjithë aktorëve konfirmuan rëndësinë e këtij eventi si një hap konkret drejt ndërtimit të një sistemi më të fortë të aftësive në turizëm në Shqipëri. Vlerësimi i pjesëmarrësve ishte maksimal, duke arritur një nivel kënaqësie prej 100%, çka dëshmon suksesin e aktivitetit dhe interesin për vijimin e bashkëpunimit në fazat e ardhshme të projektit.

Mesazh përmbyllës:
Ky event shënon fillimin e një bashkëpunimi të ri dhe të rëndësishëm për zhvillimin e aftësive në turizëm në Shqipëri. Përmes projektit V-ROADS, synohet ndërtimi i një ure të qëndrueshme midis arsimit profesional dhe tregut të punës, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve turistike dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.