Në ceremoni ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja e Shtetit për Rininë e Fëmijët, Bora Muzhaqi, mësues, nxënës etj.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama theksoi se “kurorëzimi me këto medalje të arta është prova që asgjë nuk është e pamundur kur njeriu është i gatshëm t’i përkushtohet dhe nëse njeriu është në gjendje ta shikojë një ëndërr me sy hapur fakti që e shikon mund ta realizojë”.
“Kjo tani kjo ceremoni është një praktikë dhe dhënia e medaljeve të arta për maturantët më të shkëlqyer është për ne jo vetëm momenti i dorëzimit të medaljes së shumëmerituar, por edhe një moment për t’u ndarë me të gjithë publikun pikërisht për rrezatimin e forcës së shembullit të secilës dhe secilit prej jush”, -tha Rama.
Mbase, vijoi Rama, ” kush mund ta mbajë mend ceremoninë e fundit, do të më quajë përsëritës, por unë do ta përsëris atë që në këndvështrimin tim është edhe thelbi i kësaj arritjeje fantastike”.
“Mes jush me siguri ka vajza dhe djem që vijnë nga situata të vështira familjare, mes jush ka nxënëse dhe nxënës që i kanë pasur të gjitha justifikimet e mundshme për të mos bërë këtë që keni bërë, vështirësi ekonomike, sociale, vështirësi distance nga shtëpia në shkollë dhe nga shkolla në shtëpi, por fakti që ju sidoqoftë, nuk keni shfrytëzuar asnjë prej këtyre justifikimeve për të mos lënë pas dore një notë të vetme, flet jashtëzakonisht shumë për dallimin e madh mes njeriut që i beson ëndrrës së vet dhe e ushqen ambicien e vet me punë të palodhur dhe shumëkujt tjetër që fsheh mosarritjet e veta pas justifikimesh që, siç e thashë, mund të jenë të gjitha legjitime”, u shpreh ai.
Më tej, Rama vuri në dukje se “për shkak të detyrës unë kam vizituar shumë familje në situatë të vështirë ekonomike”.
“Ajo ç’ka më mbetet si mbresë e pashlyeshme për gjithë jetën është fakti që në ato familje, ku në ndonjë rast edhe vetë çatia e shtëpisë ishte e pamjaftueshme për të mbajtur shiun që të hynte brenda në dhomë, kam pasur privilegjin të takoj fëmijë që shkëlqenin në mësime, fëmijë që mësonin në kushtet më të pamundura fizike dhe që ktheheshin në shtëpi me dhjeta. Fëmijë që nuk mjaftoheshin vetëm me gjuhën shqipe, por flisnin anglisht rrjedhshëm, ndërkohë që në shtëpinë e tyre diskutohej sfida e përditshme e ushqimit në tavolinë dhe nuk kishte gjëkundi ndonjë nga të rriturit që dinte anglisht”, u shpreh ai.
Në ndërkohë, theksoi ai, kjo ceremoni është pikërisht pasqyra e një brezi që kalon kohën e vet më të bukur pas shkollës në situata që nuk i ngjajnë njëra-tjetrës, por që mbledh këtu një grup të konsiderueshëm vajzash dhe djemsh që vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës, përsa i përket statusit social të familjes, por që i bashkon këtu fakti që janë po njësoj të gjithë të shkëlqyer.
Duke përshëndetur edhe prindërit e nxënësve, Rama tha se “prindërit tuaj qofshin të kamur, të varfër, meritojnë një respekt shumë të madh uroj shumë që respekti dhe mirënjohja për ta të mos iu ndahet asnjëherë në rrugën e jetës që kështu siç e keni nisur do shkoni larg. Pa prindërit dhe pa mbështetjen e tyre do të ishte shumë e vështirë në mos e pamundur, që ju të ishit këtu sot”.
“E kam sjellë herë pas here shembullin e Ermonela Jahos, që ju besoj e keni dëgjuar, dhe të Leo Messi, që me siguri e keni dëgjuar. Janë dy prototipa të të njëjtit shembull, që lidhet me guximin për të parë një ëndërr të jashtëzakonshme, që të tjerët të mund t’i bëjë të qeshin apo që njerëzit e afërm mund t’i bëjë të shqetësohen për shëndetin mendor të ëndërrimtarëve. Leo Messi ishte një fëmijë që kishte një problem të madh me shëndetin dhe për shkak të një deformimi, nuk zgjatej. Prindërit ishin shumë të shqetësuar për shëndetin e tij, ndërkohë që ai thoshte që i vogël “Unë do luaj në Camp Nou”. Natyrisht që, ajo që dukej si ëndrra e pa bazuar e një fëmijë, në fakt ishte ëndrra e një fëmije që deri në fund e ndoqi ëndrrën dhe ju e dini se si vazhdoi historia”, tha ai.
“Ermonela Jaho ishte një vajzë që vinte nga një familje jashtëzakonisht e varfër dhe shkonte në Liceun Artistik, ku nuk ishte dalluar posaçërisht mes grupit të shoqeve të klasës që studionin për kanto dhe thoshte “Unë do këndoj në La Scala”. Ermonela Jaho arriti të këndojë në “La Scala” dhe arriti të këndojë në të gjithë teatrot e mëdhenj të muzikës lirike në botë dhe vazhdon të këndojë dhe ka arritur të kapërcejë edhe një tjetër prag, pragun e të qenit në rolet kryesore në teatrot kryesore përtej rekordit të moshës për një këngëtar të arritur, deri sa ajo sot e ka kapërcyer”, u shpreh Rama.
“Janë ëndrrat e mëdha që kërkojnë sakrifica të jashtëzakonshme dhe nëse do të kërkoni pak më shumë tek jeta e tyre, do shikoni se e kanë paguar suksesin me një përkushtim që është identifikuar me sakrificë, sakrificë fizike, stërvitje që do kishin lodhur 99,99% të të tjerëve që vetëm nëse do mendonin se mund t’i bënin, të dy flas, me rezistencë psikologjike të jashtëzakonshme për të mos u dorëzuar përballë skepticizmit, rezervave, deri tek përqeshjeve të të tjerëve kur duhet të kalonin nga një stacion në tjetrin dhe me bindjen që ishte e drejta e tyre të realizonin ëndrrën e tyre”, vijoi ai.
“Ju tanimë e keni një provë të fortë se çfarë mund të arrini. Mos kini asnjë frikë nga ëndrrat tuaja. Sa më të mëdha të jenë, aq më shumë sakrifica kërkojnë dhe nëse jeni në gjendje t’i bëni ato sakrifica, kini besim që do t’ia dilni dhe nga maja ku do arrini do mund të shikoni pastaj qetësisht të gjithë ata që ndërkohë iu kishin thënë që kjo nuk bëhet. Hegeli thotë që “nuk ka asnjë gjë që nuk bëhet, ka vetëm njerëz që nuk arrijnë ta bëjnë””, përfundoi kryeministri Edi Rama.
Ceremonia vijoi me shpërndarjen e “Medaljes së Artë”për 78 nxënës që kanë mbarua gjimnazin me 10 absolute. /j.p/



























