Shtëpitë tradicionale të këtij qyteti – të përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore në vitin 2008 – vazhdojnë të jenë të banuara, shkruan Carmen Giró në një artikull të botuar në revistën spanjolle “La Vanguardia”.

 

Një kaskadë fasadash që zbresin shpatin e kodrës të kurorëzuar nga një kala. Thirrja e myezinit nga xhamia, një kishë e vogël plot me afreske bizantine. Të gjitha këto i gjeni në Berat, një nga xhevahirët e Shqipërisë dhe pa dyshim, një nga qytetet më të bukura të vendit!

 

Mes rrugëve të pjerrëta, këmbësorët mund të përjetojnë ndërthurjen e kulturave në zonë.

 

Xhamitë, kishat ortodokse dhe afresket bizantine bashkëjetojnë me një gastronomi të pasur dhe të shëndetshme.

 

Berati është shpallur një vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 2008, dhe me të drejtë!

 

I gjithë qyteti, një qytet shumë i madh dhe i vjetër, është ruajtur në mënyrë të përkryer.

 

Shtëpi tipike të arkitekturës osmane, fasadat e bardha të të cilave me mijëra dritare zbresin në dy shpatet e luginës, të japin ndjesinë e një ujëvare harmonike.

 

Pavarësisht se është një qytet me bukuri të jashtëzakonshme, ai nuk është një qytet-muze.

 

Shumë prej këtyre shtëpive janë ende të banuara dhe shumë të tjera janë shndërruar në hotele të vogla.

 

Në të dyja rastet mund t’i vizitoni nga brenda, pasi banorët e Beratit janë krenarë për trashëgiminë e tyre kulturore.atsh