ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se këshillat bashkiakë nuk do të kalojnë asnjë buxhet të bashkive, nëse nuk prashikohen qartë fondet për pastrimin.
Kryeministri Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilluan sot një mbledhje me Kryetarët e Bashkive dhe Prefektet per menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve.
Rama tha se “ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht me kryetarët e bashkive për këtë, por fjalët po shterojnë”.
“Ligji parashikon shumë qartë që Kryetarët e Bashkive janë përgjegjës dhe bashkitë sanksionohen me ligj financiarisht për veprime të kësaj natyre. Ne do të ecim edhe me sanksione deri në marrjen në administrim të bashkisë dhe çuarjen e Kryetarit respektiv të Bashkisë në prokurori. Ky do të jetë fundi i rrugëtimit të përbashkët në rast se nuk gjejmë partnerët e duhur në territor dhe të garantojmë që Shqipëria të jetë shembull i pastërtisë në sezonin e ardhshëm”.
Rama tha se ndërkohë investime janë bërë dhe ne i kemi pikat fundore, landfillet e mbetjeve, ndaj situata aktuale është e patolerueshme.
“Askush nga ne nuk mundet dot të bashkëjetojë me turpin e pisllëkut. Është e patolerueshme, e papranueshme, ndaj duke filluar nga buxheti i vitit të ardhshëm çdo bashki të vendosë gjithë fondin që duhet për të kontrolluar procesin më së miri. Kjo kërkon kostim, buxhetim, vullnet dhe mirëadministrim”, tha Rama. (vijon)



























