Të gjithë bujqit, blegtorët dhe peshkatarët, do të kenë në dispozicion miliona lekë për të përfituar, pasi Ministria e Bujqësisë, me vendim të qeverisë, ka përcaktuar kriteret bazë të sektorëve që do të mbështeten, si dhe masën e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2023.

Sipas vendimit, të cilin e sjellë të plotë rtsh.al, fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2023 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, do të të përdoret për:

a) rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve blegtorale dhe të prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura, duke ulur kostot nëpërmjet pagesave për kafshë të matrikulluara, si dhe për sipërfaqe të kultivuar;

b) certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike;

c) ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore dhe tregjeve të kafshëve të gjalla në disa bashki të vendit;

ç) përmirësimin e eficiencës energjetike dhe përshtatjen e kapaciteteve të peshkimit me burimet peshkore;

d) mbështetjen me naftë për bujqësinë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore;

dh) mbështetjen për trajnimin dhe transferimin e njohurive në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.
Masa e mbështetjes financiare

Masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin do të jenë:

a) Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë, në vlerën deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt;

b) Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën deri në 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt;

c) Mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt;

ç) Mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera, në vlerën deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individualë ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për aplikant;

d) Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) për fermë të certifikuar;

dh) Implementimi dhe certifikimi global GAP, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha; ii. por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 (dhjetë) ha në fushë të hapur.