Koncerti përmbledh pjesë nga krijimtaria e pasur e kompozitorit, në kuadër të 70-vjetorit të lindjes dhe përcjell një diapazon të gjerë ashtu sikundër edhe tingujt e lëvruar nga Peçi. Ky koncert mbahet në 2 shtylla: Melodizmi dhe strukturalizmi i Peçit.
Kështu, programi përfshin sonata si ajo “Argjiro”, por edhe tingujt e njohur të muzikës së filmave që kanë shoqëruar breza të tërë, siç është arpexhiatura për fizarmonikë që sjell tingujt e produksionit shqiptar “Kur xhirohej një film”. Nuk mungojnë krijimet mbi tingujt arbëreshë si “Arbëreshe” ku shihet mjeshtëria e autorit për fakturizuar një teksturë sinusoidalo – harmonike valësh deti, si dhe lëvizje të baseve mjaft të kompozuara, që dëshmojnë për mjeshtëri kompozicioni.
“Vajzë e valëve” është një nga modelet e para në shekullin 21 i shndërrimit të polifonisë shqiptare në pianizëm. Sonata n10 “Voyage de l’ame” koha 1 dhe koha 5 përfaqëson udhëtimin e shpirtit të autorit atëherë kur ai veç ai do të ekzistojë. Pjesa e programit “Valsi i trëndafilave” luhet për herë të parë në flaut dhe sjellë poetikën e Shkodrës, kaq të dashur për autorin, por në një dimension universal europian. “Motivi i kecave”, vjen nga baleti “Kecat e ujku” dhe sjell modalitetin, energjinë dhe skercozitetin e Përmetit të viteve të rinisë së autorit i cili ishte 28 vjeç kur e ka shkruar këtë balet. Pjesë të tjera të programit janë “Baticë-zbaticë dallgësh polifonike”, “ Valle brilante çame”.
Aleksandër Peçi është kompozitor shumë i njohur dhe një nga figurat më të rëndësishme të muzikës klasike shqiptare bashkëkohore. Në vitin 1989 iu dha titulli “Artist i merituar”. Ai u diplomua në Konservatorin Shtetëror në Tiranë (1974) dhe më pas ka punuar si drejtor i Pallatit të Kulturës në Përmet. Nga viti 1979 ai ka qenë drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Që nga viti 1986 ai është kompozitor me kohë të plotë. Në vitin 1989 ai kompozoi këngën “Toka e Diellit”, e cila fitoi konkursin më të madh të muzikës shqiptare, Festivalin e Këngës në RTSH. Që nga viti 1992, Aleksandër Peçi jep mësim në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Peçi ka një karrierë të shkëlqyer 50-vjeçare ku disa nga trofetë e tij janë: 5 simfoni, 15 sonata, 13 koncerte nga të cilat 6 koncerte për violonçel e orkester, 5 koncerte për piano orkestër, 6 rapsodi, 2 opera, 2 balete, rreth 20 filma, 120 botime për piano nga një total prej 915 botimesh, 35 albume CD 573, video në youtube, mbi 200 evenimente ndërkombëtare.
Kompozitori është autori më i ekzekutuar jashtë Shqipërisë në këto 30 vite, me çmime te shumta. Si themelues i “Pianodrom” me 106 produksione për 9 vjet dhe një nga themeluesit e shoqatës “New Music”, është promotor i zhvillimeve moderne në kompozicionin shqiptar. Si profesor ka nxjerrë nga emrat më të rëndësishëm në brezin e ri të kompozitorëve.



























