Gjatë 10 ditëve të fundit, Njësia Operacionale e Policisë Rrugore ka intensifikuar monitorimet me dron të akseve rrugore, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, kryesisht të atyre që kryejnë parakalime të gabuara, rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Ministria e Brendshme njoftoi se “si rezultat i monitorimit me dron janë evidentuar 1988 parakalime të gabuara dhe janë ndëshkuar me masë administrative 3 000 lekë”.
Gjithashtu, sipas Ministrisë së Brendshme “janë evidentuar edhe 367 raste të drejtuesve të mjeteve që kanë qarkulluar kundërvajtje në karrexhatë, përfshirë kthesat, rakordimet konvekse ose segmente të tjera me fushëpamje të kufizuar”.
Sipas Ministrisë së Brendshme “për këta shkelës janë marrë masat administrative 12 000 lekë dhe zbritje prej 10 pikësh nga Leja e Drejtimit”.
Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.
/r.e/a.f/