Reshjet me intensitet të lartë gjatë dy ditëve të fundit kanë sjellë problematika në disa zona të vendit.
Ministria e Mbrojtjes, në bazë të informacioneve të ardhura nga Emergjencat Civile njofton se situata është nën kontroll në të gjithë territorin, ndërsa po ndiqet me prioritet gjendja në qarqe të caktuara për shkak të prurjeve të shumta të lumenjve.
Në të gjithë vendin, hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë, duke ruajtur nivelin mesatar të kuotave, rezervuarët po monitorohen dhe janë nën kontroll. Sa i përket infrastrukturës rrugore, vijon qarkullimi normal në të gjitha akset nacionale dhe rurale. Me përjashtim të disa rasteve edhe furnizimi me energji në të gjithë vendin vijon normalisht, po ashtu edhe furnizimi me ujë nuk ka ndërprerje.
Kështu prurjet më të shumta janë ato të lumit Vjosa, por niveli i ujit është brenda kufirit maksimal pa rrezikshmëri. Edhe lumenjtë e tjerë janë në nivele mesatare dhe nuk paraqesin rrezik për dalje nga shtrati. Në Këlcyrë forcat zjarrfikëse dhe të bashkisë po punojnë për pastrimin e ujit në një banesë për shkak të bllokimit të tubacioneve.



























