ATSH/ Në kuadër të muajit të pyllëzimit, bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me institucionet publike dhe komunitetin po kryejnë mbjelljen e pemëve të reja, në zona të ndryshme të qytetit.
Në Parkun Natyror të Viroit u mbollën 150 fidanë, pemë dekorative, duke ia shtuar më shumë hijeshinë dhe gjelbërimin mjediseve të parkut natyror.
E pranishme në nismat për mbjelljen e pemëve të reja dhe shtimin e hapësirave të gjelbëruara ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se, “ashtu si në të gjithë vendin dhe në Gjirokastër gjatë këtyre ditëve po kryejmë mbjelljen e fidanëve të rinj, kryesisht në zonat natyrore, të cilat kanë vlera për zhvillimin e ekoturizmit”.
“Vlerat natyrore dhe mjedisore janë një ndër resurset e veçanta dhe potencial i rëndësishëm për turizmin në Gjirokastër dhe vendin tonë”, theksoi Kumbaro.
Sipas kryetarit të bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi “strukturat e bashkisë do të vazhdojnë mbjelljen e pemëve të reja, duke përfshirë dhe sipërfaqet pyjore të dëmtuara si shkak i zjarreve të verës”.
“Muaji i pyllëzimit përkon me Planin Kombëtar të Pastrimit, ndaj apelojmë për mbrojtjen e mjedisit, vlerave natyrore dhe ekoturistike të zonë së Gjirokastrës”, u shpreh Golemi.
Pjesë e nismave për mbjelljen e pemëve të reja në Gjirokastër kanë qenë nxënësit e shkollave, ambientalistët e rinj, etj.

























