Është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare ish-Presidenti i “KF Elbasani” Arben Laze. Shkak për humbjen e tij mësohet të jetë bërë një infarkt që ka pësuar disa ditë më parë çka ka bërë që gjendja e tij shëndetësore të përkeqësohet. Ndërsa ndodhej i shtruar kohët e fundit në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” Laze nuk ia doli ta fitojë këtë betejë.
Arben Laze ishte President i “KF Elbasanit” prej rreth dy dekadash dhe gjatë viteve të para të presidencës së tij Verdh e Blutë ishin një nga ekipet elitare të futbollit shqiptar. Gjatë sezonit 2004-2005 Elbasani u shpall nënkampion dhe në sezonin 2005-2006 Kampion i Shqipërisë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mikut të tij Arben Laze, ish-presidenti i klubit të Elbasanit.
“Pak orë më parë mora lajmin e rëndë se miku im i mirë, Presidenti i Elbasanit që ai e deshi aq shumë, Arben Laze, u nda nga ne. Është e vështirë dhe tani për mua ta besoj dhe të shkruaj këto fjalë për një njeri të mirë, plot humor dhe optimizëm, që kontribuoi aq shumë për futbollin shqiptar. Beni ishte një mik i të gjithëve ne, një njeri që nuk hiqte dorë lehtë nga përgjegjësitë dhe sfidat. Energjia e tij do t’i mungojë komunitetit të futbollit. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. Lamtumirë miku im, do më mungosh!”, shkruan Duka.
Homazhet në nderim të Arben Lazes do të zhvillohen ditën e sotme, e enjte, 6 janar, nga ora 12:00-14:00 në “Elbasan Arena”.



























