ATSH/ Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare regjisori i shquar shqiptar, Pirro Milkani, një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare. Një figurë emblematike që la gjurmë të pashlyeshme në artin dhe kulturën tonë kombëtare.
Pirro Milkani u nda nga jeta këtë të shtunë, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike që ka formësuar dhe pasuruar kulturën shqiptare për dekada me radhë.
Lajmin e bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale djali i tij Eno Milkani, teksa shkruan “Iku babai, shoku dhe kolegu im”.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit teksa njofton ndarjen nga jeta të Pirro Milkanit, shkruan në një postim në rrjetet sociale se “i lindur më 5 janar 1939 në Drenovë, Korçë, Milkani ishte një nga kineastët e parë të kinematografisë shqiptare, duke realizuar filma që mbetën në kujtesën dhe zemrat tona. Veprat e tij si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti” u bënë pjesë e identitetit tonë kulturor dhe janë dëshmi e talentit dhe përkushtimit të tij ndaj artit”.
“Përveç kontributit të tij si regjisor, Milkani ishte edhe një edukator i përkushtuar, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të kineastëve shqiptarë. Ai ishte një njeri i urtë, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Një mik i përjetshëm i Arkivit ku me adhurim thonim se Piro është si një libër i hapur për ndodhitë e historitë e Kinostudios”, shkruan AQSHF.
Veprat artistike si regjizor
- 2012 Kryekenga e Kombit. Producent. Regjia Petrit Ruka.
- 2008 Smutek paní Snajdrové (Trishtimi i zonjës Shnajder)
- 1990 Ngjyrat e moshës
- 1988 Pranvera s’erdhi vetëm
- 1987 Eja!
- 1985 Në prag të jetës
- 1984 Militanti
- 1983 Fraktura
- 1982 Besa e kuqe
- 1981 Në kufi të dy legjendave
- 1980 Një shoqe nga fshati
- 1979 Ballë për ballë
- 1977 Shëmbja e idhujve
- 1976 Zonja nga qyteti
- 1975 Çifti i lumtur
- 1974 Shtigje lufte
- 1974 Një firmë e hekurt (dokumentar)
- 1973 Festë e madhe (dokumentar)
- 1971 Kur zbardhi një ditë
- 1969 Përse bie kjo daulle
- 1969 Festivali 7-te i femijeve (dokumentar)
- 1968 Fitues
- 1967 Gadhnjim mbi vdekjen
/a.f/