TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Giacomo Vrioni dhe Frederic Veseli janë dy lojtarët e radhës të Kombëtares që dolën ditën e sotme në konferencë për media, ku folën për sfidat e Shqipërisë në “Nations League” dhe miqësoren ndaj Estonisë.

Vrioni iu bashku ditën e djeshme ekipit Kombëtar, teksa nisi menjëherë përgatitjet me grupin kuqezi.

Me objektiva të qartë për vendin e parë, sulmuesi shqiptar vlerësoi maksimalisht sfidat, ndërsa shprehet se grupi i djemve është i përqendruar te këto sfida.

Titullar ose jo në përballjet ndaj Islandës dhe Izraelit, konkurrenca e lartë në kombëtare si dhe pika e fortë e skuadrës kuqezi, Giacomo Vrioni i jep përgjigje të gjitha pyetjeve.

“E dimë që janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, por e dimë edhe nivelin tonë. Si në Islandë, ashtu edhe në Shqipëri, do të luajmë për të marrë 3 pikë, për të arritur vendin e parë”, tha Vrioni.

Ai theksoi se atmosfera e grupit është shumë e mirë dhe të gjithë janë të përqendruar në këto ndeshje, ndërsa shtoi se është zgjidhja e trajnerit nëse do të luajë titullar apo jo.

Për konkurrencën në Kombëtare, Vrioni u shpreh se, “e vështirë është gjithandej, sepse kudo ka sulmues, por në Kombëtare ka lojtarë shumë të fortë, janë më në formë. Ne do të mendojmë vetëm të bëjmë më të mirën në stërvitje dhe siç thashë më parë, zgjedhja i përket trajnerit”.

Vrioni nënvizoi se të gjitha repartet e skuadrës janë të forta.

“Të gjithë lojtarët luajnë në Evropë, ka lojtarë që luajnë në Champions League, Premier League, Europa League, Marash Kumbulla fitoi Conference League dhe siç të thashë, të gjithë repartet janë të rëndësishme në Kombëtare”, theksoi ai, teksa shtoi se sa i përket rivalëve Islandës dhe Izraelit, “kur luan në Nations League nuk ka ekip më të vështirë, ekip më të fortë, janë të gjithë në nivelin tonë dhe ne do punojmë që të marrim 3 pikë në Islandë dhe në Shqipëri me Izraelin”.

Edhe mbrojtësi kuqezi i Kombëtares, Frederic Veseli u shpreh se skuadra ka punuar intensivisht që prej ditës së parë për të përgatitur këto sfida, jo vetëm nga ana fizike, por edhe nga ajo mentale.

I pyetur nëse Shqipëria është favorite e grupit, Veseli u përgjigj se po, ndërsa konfirmoi edhe vullnetin që ka skuadra për të dhënë 200% për t’u renditur të parët në grup.

“E kemi përgatitur mirë ndeshjen ndaj Islandës. E kemi nisur me stërvitje intensive që nga dita e parë dhe jemi përgatitur shumë në fushë. Synimi ynë është të bëjmë ndeshje të mira me Kombëtare dhe të fitojmë”, tha ai.

“Kemi mbrojtës ekspertë dhe shumë të fortë. Secili nga ne luan në kampionate të nivelit maksimal, por kur vjen në Kombëtare është momenti që vlen dhe vendos trajneri kush luan. Jemi të gjithë të aftë që të luajmë që nga minuti i parë, ose nëse ka nevojë, të hyjmë në lojë kurdo”, shtoi Veseli.

Për kundërshtarët, Veseli tha se, “kemi bërë disa gabime kundër Islandës dhe Izraelit në ndeshjet e fundit kundër tyre dhe duhet t’i përdorim këto gabime për t’u përmirësuar dhe pse jo për t’i fituar këto ndeshje kundër tyre. Besoj se momentalisht jemi në nivelin e duhur, në grupin B dhe pse jo të synojmë të shkojmë në grupin A. Kemi bërë disa gjëra të mira me Kombëtaren këto vitet e fundit dhe besoj se një hap përpara do ishte gjëja më e bukur”.

“Për mendimin tim dhe të skuadrës jemi favoritë. Por varet se çfarë mendojnë edhe skuadrat e tjera. Ne shpirtërisht mendojmë se kemi çdo mundësi të fitojmë dhe mund ta konfirmoj se kemi vullnetin jo 100, por 200% për të dhënë maksimumin dhe për të arritur vendin e parë për të kaluar në Ligën A ku kemi kundërshtarë shumë të fortë. Edhe si eksperiencë personale për çdo lojtar edhe si eksperiencë për grupin dhe për tifozët tanë që na shikojnë, pse jo të shohin ndeshje kundër skuadrave shumë të forta dhe me nivel shumë të lartë”, u shpreh më tej Veseli.