Dy persona janë vënë në pranga dhe një është proceduar penalisht në Lezhë për zjarrvënie.

Uniformat blu bëjnë me dije se kanë arrestuar në flagrancë 66-vjeçarin Petrit Leka, banues në Gjakëz.

Leka kishte ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij por flakët kanë dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të braktisura në fshat.

Ndërsa, në Lezhë u arrestua në flagrancë P. L., 52 vjeç, banues në Zejmen. Ky shtetas ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe barishte dhe kullota

Njoftimi i plotë i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Mirditë/Dogji me zjarr një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të pabanuara, Policia vë në pranga 66-vjeçarin.

Lezhë/Dogji me zjarr një sipërfaqe toke me barishte, duke rrezikuar disa banesa, lokale dhe automjete, vihet në pranga 52-vjeçari.

Gjithashtu, procedohet penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës dhe një shtetase tjetër, pasi dogji me zjarr një sipërfaqe toke.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe të Komisariateve në varësi të saj, të angazhuara maksimalisht për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve në territorin e qarkut Lezhë.

Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin P. L., 66 vjeç, banues në fshatin Gjakëz, Mirditë.

Ky shtetas ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të braktisura në fshatin Gjakëz, Fanë, Mirditë.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin P. L., 52 vjeç, banues në Zejmen, Lezhë.

Ky shtetas ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe barishte dhe kullota. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësen, kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit i cili rrezikonte disa banesa dhe lokale, si dhe automjetet, pasi ishte anës rrugës kryesore në aksin Lezhë-Milot.

Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasen Gj. V., 70 vjeçe, banuese në Balldren, Lezhë.

Kjo shtetase, pasi ka ndezur zjarr në kanalin kullues, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe me bimësi në fshatin Balldre, Lezhë.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.