ATSH/ Ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried e cila mbërriti mbrëmjen e djeshme në Tiranë, pritet të zhvillojë sot takime me zyrtarë të lartë në vend.
Donfried dhe zëvendësndihmëssekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar mbërritën dje në Shqipëri dhe u takuan me Komisionerin Europian për Zgjerimin, Olivér Várhelyi.
Ata diskutuan mbi prioritetin e përbashkët të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
Ndihmëssekretarja Donfried rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe tha se SHBA mbetet e angazhuar për të punuar me partnerët shqiptarë dhe të BE-së për të siguruar reformën në drejtësi në Shqipëri dhe rrugën e suksesshme drejt Bashkimit Europian./m.m/



























