Plazhe që zhduken, nxehtësi ekstreme, uragane, pista skish që shkrijnë, të gjitha këto ndikojnë edhe tek industria e turizmit. Edhe pse jo në atë masë që ishte menduar.
Kush do të shohë nga afër pasojat e ndryshimeve klimatike, duhet vetëm të bëjë një udhëtim në plazhin kryesor të Majorkës, Es Trenc. Prej shumë vitesh aty ndodhen bunkerët, të ndërtuar me udhër të diktatorit Franko. Fillimisht ato ishin ndërtuar mirë të fshehura në mes të peizazhit të dunës. Sot ato duken me sy nga larg në mes të plazhit dhe dëshmojnë, sesi rritja e nivelit të detit po e ndryshon zonën. Sipas shkencëtarëve ky plazh i mrekullueshëm që nga viti 1979 është ngushtuar deri në 40 metra në disa vende. Ky nuk është rasti i vetëm në ishull: Nëse ngrohja globale vazhdon siç parashikohet, dhjetëra plazhe do të zhduken prej përmbytjeve.
Verë rekord pavarësisht nga tkurrja e plazhit
“Flasim për një humbje të madhe toke në rajonin e Mesdheut”, thotë Thomas Dworak, koordinator i një studimi nga Agjencia Gjermane e Mjedisit për efektet e ndryshimeve klimatike në turizëm. Një perspektivë shqetësuese në një ishull si Majorka, i cili lulëzon kryesisht nga turizmi me plazh dhe diell. Megjithatë deri tani zhdukja e plazheve nuk ka ndikuar ende në statistikat e pushuesve. Majorka po shkon drejt një vere rekord. Në vitin 2022 do të vizitojnë ishullin më shumë turistë se sa ndoshta kurrë më parë.
“Mund të ketë njerëz që për shkak të vapës nuk shkojnë në Mesdhe gjatë verës”, thotë Dagmar Lund-Durlacher. “Por nuk mund të flasim ende për një lëvizje masive.” Megjithatë destinacionet tradicionale të udhëtimit nuk duhet të humbasin shumë kohë për t’u përshtatur me rrethanat e reja. Herët a vonë ata duhet ta bëjnë këtë, përndryshe në një moment nuk do të ketë më turistë. Se cila strategji e përshtatjes është e duhura, ndryshon nga vendi në vend”, thekson Dworak. “Nëse ekosistemi në një park kombëtar në Afrikë shkatërrohet për shkak të zjarrit në pyje, atëherë nuk keni pse të preokupoheni më për përshtatjen”, thotë ai. E njëjta gjë vlen të thuhet për shembull, kur nuk është e mundur të sigurohet furnizimi me ujë në Greqi. Nëse në Sylt humbasin disa metra bregdet, atëherë shumë njerëz, që jetojnë atje nga turizmi, do të duhet të mendojnë për diçka tjetër në plan afatmesëm. Në Itali nga ana tjetër mund të mjaftojë të tërhiqen më shumë pushuesit, që duan të udhëtojnë në pranverë dhe në vjeshtë.
Top Channel



























