ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se deri në fund të mandatit do të bëjë çmos që qeveria të jetë sa më afër njerëzve, duke u shprehur se, në vitin 2022 do mbyllen sportelet dhe shteti do të jetë në xhepin e njerëzve.

Në konferencën e Fundvitit me gazetarët, duke folur për situatën politike, Rama u shpreh se, “është një situatë politike që për mua ka vetëm një këshillë mos u merr me ta, mos u merr me këtë punë”.

“Për këtë arsye trajektorja jonë, do të jetë komplet tjetër, duke filluar nga tani dhe deri në fund të mandatit, do të bëjë çmos që të shkojmë afër njerëzve. Do bëjë çmos që politika të bëhet sa më shumë një mjet në funksion të njerëzve, totalisht përtej të majtës dhe të djathtës, në raportin e qeverisë me njerëzit”, tha Rama.

“Siç po bëjmë dhe po i shohim frytet në aspektin moral, në aspektin shpirtëror në aspektin e energjive, me rindërtimin, ku nuk ka të majtë e të djathtë, po ku ka shqiptarë që duhen mbrojtur, duhen strehuar. Kështu do ta forcojmë sa të mundemi këtë marrëdhënie duke braktisur totalisht llogoren e përplasjeve absurde dhe konfrontimin me palë që nuk dinë ku kanë kokën e tyre, e jo më të kenë kokë mbi supe për të dhënë për vendin në këtë fazë”, theksoi Rama.

“Situata është sa e rëndë aq edhe qesharake, me thënë të drejtën. Një situatë tamam groteske, ku marrëzia dhe egërsia bashkohen bashkë edhe janë fatkeqësi e madhe. Por ne nuk kemi asnjë mundësi që ta ndryshojmë atë trajektore marrëzie”, u shpreh Rama.

“E vetmja gjë që na takon është të shkojmë tek njerëzit. Këshillimi Kombëtar do të jetë një instrument më shumë dhe viti 2022 në të gjitha punët, në të gjitha anët do të jetë në radhë të parë, në qëllimin tonë, viti i fëmijëve edhe i shërbimeve. Nga njëra anë do të bëjmë një hop të rëndësishëm në qasjen ndaj jetës së përditshme të fëmijëve dhe të rinjve, duke financuar dhe duke motivuar që në atë hapësirë mes shkollës dhe shtëpisë të ketë art, zeje, të ketë sport dhe teknologji. Më shumë teknologji për të pasur më shumë të rinj që hyjnë në tregun e pagave të larta të punës, duke shfrytëzuar dijen teknologjike dhe pa pasur nevojë të lëvizin nga Shqipëria të mund të punësohen jashtë vendit përmes teknologjisë. Kemi nga këta të rinj, por duhet t’i shtojmë”, tha Rama.

Dhe, shtoi Rama, “patjetër shërbimet në 2022 do të ndryshojnë rrënjësisht sepse do mbyllim sportelet dhe shteti do të jetë në xhepin e njerëzve”. /j.p/