ATSH/- Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Kamëz, deklaroi se Shqipërinë nuk e ndal asgjë dhe se Partia Socialiste nuk do e lejojë ta ndali asgjë vendin tonë për të ecur përpara.

Kryeministri Edi Rama, u tha qytetarëve të Kamëz të kontaktojnë shokët e shoqet të zhgënjyer nga politika e ti bindin të votojnë, pasi politika duan apo nuk duan ata, ndikon në jetën e tyre.

“Neve nuk na ndali armiku i padukshëm. Neve nuk na ndali tërmeti. Kush do na ndalë?. Nuk ka asnjë sfidë që ne nuk e fitojmë dot. Nuk ka asnjë mundësi tjetër për Shqipërinë, përveçse suksesit, nëse shqiptarët nuk bëjnë atë që në momente të caktuara fatkeqësisht kanë bërë, të bien pre e lloj – lloj këngëve e valleve dhe premtimeve e të kthehen përsëri mbrapsht. Nuk ka për të ndodhur! Ne nuk do e lëmë të ndodhë”, u shpreh Rama.

“Për vajzat e djemtë këtu kam një porosi. Faleminderit shumë për gjithë këtë entuziazëm, por çdo shoku, çdo shoqeje që ju thotë nuk vij të votoj, ç’më duhet votimi, nuk merrem fare me politikë, thojuni që është e kotë sepse do ti apo nuk do ti, politika me ty merret dhe sa më shumë njerëz të mirë t’i kthejnë kurrizin politikës, aq më shumë politika mbetet në duart e njerëzve të këqij. Sa më shumë njerëz të ndershëm t’i kthejnë kurrizin kutisë së votimit, aq më shumë pandershmëria do të ndikojë nesër në jetën e tyre. Politika mund të jetë shumë e keqe, politika mund të jetë shumë e mirë. Politika i çon njerëzit në humnerë, siç i çoi kur nxori në mejdan Rrapush Xhaferri. Por politika i kthen njerëzit në shtëpia më të mira, siç po i kthen sot në Kamzë e në gjithë Shqipërinë”, shtoi kryeministri Rama.