ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se nesër pritet ardhja e sasisë së parë të vaksinave AstraZeneca me të cilat do të vaksinohen mësuesit dhe pedagogët, ndërsa sqaroi se seria që marrim ne nuk është e njëjta me serinë e pezulluar nga disa vende.
“Ne arritëm ta kapërcejmë hendekun që ndan akoma disa vende të rajonit me dozën e parë si rezultat i vajtjes drejtpërdrejt te ‘Pfizer’ dhe i bërjes së detyrës së lypësit. Por sot lajmi i mirë është se kemi vaksinuar të gjitha bluzat e bardha. Kemi filluar të vaksinojmë më të moshuarit”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “nesër vijnë sasia e parë AstraZeneca, që na lejon të fillojmë menjëherë me mësuesit dhe pedagogët”.
Ndërkohë, Rama tha se “jemi në negociata shumë të avancuara me dy vende për sasira të mëdha edhe shpresoj shumë që të arrijmë shpejt të kemi edhe kontrata dhe të sjellim sasira më të konsiderueshme që na lejon të hyjmë në vaksinim masiv”.
I pyetur mbi Aktin Normativ që autorizon Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrine Shtetit për Rindërtimin për gjetjen e kanaleve të tjera, Rama tha se “ne sytë i kemi hedhur gjithandej për hir të së vërtetës”.
“Gjëja që shumëkush nuk e kupton është se vaksinat kineze apo ruse nuk janë në treg dhe thjesht kush do shkon i merr. Nga ana tjetër ka shumë lojë gjeopolitike me këto vaksina nga ana e këtyre vendeve për të krijuar idenë sikur janë disponibël për gjithë dynjanë, por nuk është kështu. Sigurisht që ne kemi pritur që ‘Pfizer’ të bëjë më shumë por nuk ka bërë më shumë për Gjermaninë e BE-në. Natyrisht që dinamika e zhvillimeve ka sjellë detyrimisht procesin në një pikë ku nuk kemi çfarë diskutojmë apo çfarë hezitojmë për asnjë arsye dhe duhet të shohim të gjitha alternativat”, tha Rama.
Ndërkohë, Rama tha se nga AstraZeneca është një seri e pezulluar dhe seria që ne marrim nuk është e njëjta. “Vaksinat që ne marrim nuk janë të asaj serie. Janë një seri tjetër këto, prandaj vetëm këto vende e kanë bërë këtë gjë, i përkasin asaj serie dhe flitet për efektivitetin në një grupmoshë të caktuar. Seria që ne do marrim është një tjetër”, tha Rama.
I pyetur mbi vaksinimin e politikanëve, Rama tha se “Saliut do t’i vijë radha shpejt se është i superthyer në moshë kurse dhëndri do presi”.
“Nuk mendoj se politikanët janë ndonjë kategori e veçantë që duhen trajtuar në mënyrë të veçantë. Vaksinat u takojnë mësuesve, më të moshuarve, pedagogëve, forcave të ushtrisë, kjo edhe në kuadër të stërvitjes së madhe në 26 prill që forcat amerikane dhe të NATO-s do bëjnë në këtë rajon, ndaj vaksinimi është i rëndësishëm në këtë aspekt”, tha Rama. /j.p/


























