ATSH/ Maturantët në të gjithë vendin do të zhvillojnë nesër provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës së Huaj.
Një ditë përpara provimit të parë të Maturës Shtetërore, ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu publikoi rregullat që duhet të ketë në konsideratë çdo maturantë para dhe gjatë zhvillimit të testimeve të Maturës Shtetërore.
“Nesër nis Matura Shtetërore 2025, me provimin e Gjuhës së Huaj. Disa rregulla për t’u patur parasysh nga çdo maturant”, shkruan Manastirliu në rrjetet sociale duke iu uruar atyre suksese.
Ndërkohë, provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të jetë më 10 qershor, Matematika më 17 qershor dhe provimi me zgjedhje më 24 qershor.
Rregullat Matura Shtetërore 2025:
Nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30, provimi nis në 10:00 dhe përfundon në 12:30.
Nxënësit duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë), 2 stilolapsa, vizore e vogël, makinë llogaritëse e thjeshtë.
Gjatë provimit nxënësit duhet të kenë veshje të rregullt, uniforma e shkollës. Në mungesë të uniformës, bluzë dhe xhinse, shishe me ujë, ushqehuni mirë në mëngjes në shtëpi. Ndalohen rreptësisht: telefonat dhe ora smart.
Rregulla gjatë provimit: Nxënësit duhet të përdorin stilolaps me një ngjyrë dhe kurrë më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit; Firmosni kur merrni dhe dorëzoni testin; Kontrolloni testin për pasaktësi ose paqartësi në lexim; Nuk lejohet largimi para 12:30; Sjellje korrekte dhe vëmendje gjatë testit.
/k.s/j.p/