Elbasani kthehet për dy netë në një skenë të muzikës klasike, falë koncertit “Virtuozët”, që solli pranë publikut instrumentistë të spikatur të skenës shqiptare.

 

Nën drejtimin artistik të Desart Shëmilit, aktiviteti u çel me një mbrëmje të veçantë në Muzeun Etnografik, ku performuan violinisti i njohur Zeqir Sulkuqi dhe artistë nga qyteti mikpritës.

 

Mbrëmja e dytë mbahet sonte te Kulla Hotel “Guri”, me interpretimin e Kuartetit të Harqeve “Mansius”, që sjell një program të përzgjedhur nga repertori klasik ndërkombëtar.

 

Përmes tingujve të përjetshëm të kompozitorëve të mëdhenj dhe interpretimit plot pasion të artistëve, publiku elbasanas po përjeton një përvojë të veçantë kulturore.

 

Koncerti “Virtuozët” është pjesë e një nisme që synon të afrojë artin cilësor me komunitetin dhe të kthejë hapësirat historike në pika gjallërie për jetën artistike të qytetit.