Elbasani është duke punuar në merkato që të përforcojë skuadrën e parë për pjesën e mbetur të sezonit, por njëkohësisht edhe të hedhur themelet e një riformatimi që do të ndodhë në ekipet e moshave. Së fundmi, me verdheblutë janë afruar dy lojtarë të huaj, një japonez që luan në rolin e mbrojtësit të djathtë dhe një brazilian si qendrëmbrojtës. Ka qenë në fakt reparti më problematik gjatë fazës së parë, ndaj me këto afrime Suta mendon se ka konsoliduar disi prapavijën. Bëhet fjalë për Takezo Kajanami dhe Nikolas Andre Silva, të dy të datëlindjes së vitit 2003, të cilët do të jenë njëkohësisht pjesë edhe e ekipit të të rinjve dhe mbi të gjitha shihen edhe si futbollistë prespektive. Mësohet se këto lëvizje janë bërë në bashkëpunim me menaxherin japonez Masashi Uçida, i cili po ndihmon klubin në afrimin e futbollistëve. Synimi është që të shihet përtej këtij sezoni, por edhe për të ardhmen, me ekipin që do të synojë të afrojë lojtarë të rinj të huaj, t’i rrisë në klub dhe më pas të përfitojë nga ndonjë shitje e mundshme e tyre. Gjithsesi, objektivi primar është ngjitja në Kategorinë e Parë dhe matematikisht ekipi është ende në garë, ndaj do ta tentojnë deri në fund.
Nga Vladimir Mema



























