ATSH/ Numri i transaksioneve përmes kanaleve te pagesave në distancë, të përfshira në konceptin e home banking, arriti shifrën rekord prej 4.12 milionë, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.
Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, deri në fund të vitit të kaluar, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 586 mijë, në rritje vjetore me 33%.
Ndërsa përdorimi i internet banking është në rritje prej 12 vitesh radhazi. Banka e Shqipërisë llogarit se nga çdo llogari bankare kryhen mesatarisht rreth 7 transaksione në pagesa jo-cash në vit, ndërsa niveli i synuar në Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël është kryerja e 10 pagesave të tilla.
Ligji i ri për shërbimet e pagesave që ka hyrë në fuqi këtë vit pritet të krijojë hapësira për rritjen e mëtejshme të pagesave dixhitale, duke krijuar një mjedis më konkurrues, në veçanti për kompanitë e teknologjisë financiare. Me ligjin e ri, aksesimi i llogarive bankare nga interneti dhe kryerja e pagesave nuk do të bëhet vetëm përmes shërbimeve e-banking të bankave, por edhe përmes shërbimeve të ngjashme, që do të ofrohen nga kompani alternative fintech. j.p/


























