Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Bashkia Elbasan sjell në vëmendje thesaret historike dhe arkitekturore që e bëjnë qytetin një nga qendrat më të pasura të trashëgimisë në vend. Çdo monument i ruajtur është dëshmi e rrugëtimit ndër shekuj, një pasuri jo vetëm për elbasanasit, por për të gjithë shqiptarët.

Muzeu Etnografik i Elbasanit mbetet një ndër institucionet më të veçanta të qytetit, ku ekspozohen objekte, veshje, vegla pune e elementë të jetës së përditshme të brezave të hershëm. Ai pasqyron mënyrën e jetesës tradicionale dhe lidhjen e fortë të qytetarëve me kulturën popullore.

 

Kalaja e Elbasanit është ndërtim me origjinë romake, e cila përfaqëson një castrum statum, qendër e një legjoni romak. E vendosur në zemër të qytetit, kjo kala është një nga monumentet më të rralla të Shqipërisë së Mesme, duke mbartur shekuj historie dhe duke qëndruar si simbol i qytetit.

 

Bazilika Paleokristiane, e njohur ndryshe si Bazilika e Bezistanit, është monument kulture i kategorisë së parë, shpallur i tillë në vitin 2009 nga Ministria e Kulturës. Si pjesë e trashëgimisë paleokristiane, ky monument është dëshmi e hershme e përhapjes së krishtërimit në rajon dhe mbart një rëndësi të veçantë shpirtërore e historike.

 

Kisha e Shën Mërisë, ndërtuar rreth vitit 1830 mbi themelet e një kishe më të vjetër, është shpallur monument kulture në vitin 1963 nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ajo shquhet për vlerat etnokulturore dhe arkitekturore të rralla, duke u bërë një pikë referimi për komunitetin ortodoks të Elbasanit dhe më gjerë.

 

Xhamia Mbret, ose Xhamia e Sulltan Bajazitit, është një ndër xhamitë më të vjetra në Shqipëri. E vendosur brenda Kalasë së Elbasanit, ajo përfaqëson një monument unik të arkitekturës osmane dhe të harmonisë fetare që ka karakterizuar qytetin ndër shekuj.

 

Stacioni antik i Quintumit, pjesë e rrugës së famshme romake Via Egnatia, tregon rëndësinë strategjike të Elbasanit në kohën e lashtë si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit. Ai është një dëshmi e rrallë e historisë rrugore dhe tregtare të Ballkanit.

Kisha e Shëllcanit, me afresket e saj të çmuara, është një tjetër perlë e trashëgimisë shqiptare. Pikturat murale të saj, me ngjyra e mjeshtëri të jashtëzakonshme, e vendosin këtë monument ndër më të rëndësishmit e ikonografisë shqiptare.

 

Këto monumente nuk janë vetëm objekte të së kaluarës, por dëshmi të gjalla të historisë, kulturës dhe identitetit të Elbasanit. Ato janë një pasuri kombëtare që meriton të ruhet dhe të promovohet, duke e kthyer qytetin në një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor.

Edlira XHERRI