Regjisori, skenaristi dhe producenti kanadez është shpallur zyrtarisht miliarder, me një pasuri që arrin në 1.1 miliardë dollarë, sipas renditjes më të fundit të Forbes.
Në moshën 71-vjeçare, Cameron bëhet regjisori i pestë miliarder në histori, duke iu bashkuar një rrethi tepër ekskluziv ku bëjnë pjesë George Lucas, Steven Spielberg, Peter Jackson dhe Tyler Perry.
Ajo që e veçon Cameronin nga emrat e tjerë është fakti se pjesa më e madhe e pasurisë së tij është ndërtuar drejtpërdrejt nga filmat që ai vetë ka realizuar.
Sipas Forbes, filmografia e Cameron ka gjeneruar pothuajse 9 miliardë dollarë në arkëtimet globale. Kryevepra si “Titanic”, “Avatar” dhe vazhdimet e tij nuk kanë thyer vetëm rekorde artistike dhe teknologjike, por edhe financiare, duke e kthyer regjisorin në një markë të sigurt suksesi në industrinë e filmit.
Përveç kinemasë, Cameron ka investuar edhe në pasuri të paluajtshme, projekte mjedisore dhe ushqime me bazë bimore, duke reflektuar angazhimin e tij për qëndrueshmërinë.
Megjithatë, këto mbeten dytësore krahas të ardhurave kolosale nga filmat, licencat, parqet tematike dhe kompania e tij Lightstorm Entertainment.
Me këtë arritje, James Cameron konfirmon statusin e tij jo vetëm si një vizionar i kinemasë, por edhe si një nga mendjet më të suksesshme financiare të Hollywood-it.
Top Channel


























