ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndeti sot paradite Konferencën vjetore të institucionit të Avokatit të Popullit “Të drejtat e brezave të ardhshëm dhe ndryshimet klimatike”.
Në fjalën e saj, Kryetarja Nikolla nënvizoi se “kufizimi i ndryshimeve klimatike është një çështje për të gjithë shoqërinë, por në radhë të parë për brezat e rinj. Konferenca e Glasgow-t mbi Ndryshimet Klimatike, nëpërmjet Paktit që miratoi, e shpalli dekadën e viteve 2020 dekadën e veprimeve dhe mbështetjes për klimën, plotësoi Marrëveshjen e Parisit dhe nënvizoi detyrimin për të tejkaluar logjikën e tregjeve, për të raportuar me transparencë veprimet në mbrojtje të klimës si edhe dëmtimet ndaj saj”.
Gjithashtu, vijoi Nikolla, pandemia e COVID-19 në bëri të reflektojmë të gjithë dhe të rishikojmë mjaft perceptime apo strategji zhvillimi që lidhen me shëndetin e popullsisë, me shëndetin e planetit, me zhvillimin dhe mirëqenien.
“Në vitin 2016, Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi Marrëveshjen e Parisit të 12 dhjetorit 2015 për ndryshimet klimatike, në kuadër të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për këto ndryshime. Gjithashtu, Kuvendi në vitin 2020 ka ngritur nënkomisionin “Për zhvillim të qëndrueshëm” në përbërje të komisionit për Ekonominë dhe Financat, me fushë përgjegjësie zhvillimin ekonomik dhe social, rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe realizimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe agjendës 2030 të OKB-së”,- tha Nikolla.
Nikolla u shpreh se “jam e qartë dhe e bindur që këto nuk mjaftojnë. Shqipëria ka nevojë për një ndërgjegjësim të të gjithëve, Qeverisë, institucioneve shtetërore, sipërmarrjes private, shoqërisë civile, qeverisjes vendore, qytetarëve dhe sidomos rinisë, për të krijuar një fron unik për mbrojtjen e mjedisit dhe shmangien e ndikimit të zhvillimit industrial në ndryshimet e klimës”.
Duke bërë apel për të ndaluar qëndrimet e papërgjegjshme dhe barbare ndaj natyrës, Nikolla tha se “brezat e ardhshëm nuk na e kanë borxh; të vlerësojmë edhe shpërpjestimet midis shfrytëzimit e fitimit në mënyrë grabitqare të të ardhurave nga burimet natyrore dhe investimet për to, sidomos për industritë e naftës dhe minierave”.
Ajo nënvizoi se mbrojtja e mjedisit është një çështje tipike jopolitike, por mbipartiake, pse jo edhe patriotike.
“Patriot i mirë është ai që kujdesin për natyrën dhe mbrojtjen e mjedisit e bën pjesë të dashurisë për atdheun dhe kombin e vet”, tha Nikolla.
Nikolla u shpreh se “Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që zhvillimi ekonomik të ndjekë korsitë e një zhvillimi të qëndrueshëm, duke i kushtuar më shumë prioritet zhvillimit të ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë blu. Shfrytëzimi racional e miqësor i pasuri natyrore, sidomos zhvillimi i industrisë së detit, duhet të jetë një përparësi e zhvillimit të Shqipërisë”.
“Të kontribuojmë të gjithë që dora e padukshme e ekonomisë së tregut të mos shndërrohet në një grusht të padukshëm që godet natyrën, mjedisin, klimën dhe, pa u kuptuar, edhe shëndetin dhe jetët tona dhe të brezave të ardhshëm”, -tha Nikolla.



























