/ATSH – I. Vata/- Policia e Shtetit në bashkëpunim me policinë bashkiake të Durrësit ka nisur sot aksioni për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Durrësit.
Prefekti i qarkut Durrës, Roland Nasto, në një prononcim për për ATSH tha se bashkia Durrës dhe Policia e Shtetit kanë nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike në plazhe.
Nasto tha për ATSH se në kuadër të këtij aksioni po punohet me dy grupe për verifikimin e stacioneve te plazhit nga Ura e Dajlanit dhe nga Shkëmbi i Kavajës.
“Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë bashkiake po punohet me dy grupe për verifikimin e stacioneve te plazhit nga Ura e Dajlanit dhe nga Shkëmbi i Kavajës . Vazhdon puna jemi ne proces të verifikimit dhe lirimit të hapësirat publike në plazhe”, tha Nasto për ATSH.
Aksioni për hapësirave publike në plazhe, gjithashtu bëhet e ditur edhe nga Policia e Shtetit, e cila njofton nisjen e aksionit në Golem, Kavajë.
“Në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë”, nis faza e dytë e operacionit për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra.Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Komisariatit të Policisë Kavajë, Policia Bashkiake dhe struktura të mjedisit të Policisë Bashkiake, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Golem. Kontrolli ka filluar nga Përroi Agait në drejtim të Karpenit, dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare. Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar 11 parcela pa leje ku janë hequr rreth 550 shezlongë dhe rreth 280 çadra. Operacioni vijon pa probleme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, Policia e Shteti ka bërë ditur detaje nga aksioni i fazës së dytë të operacionit për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra në Durrës.











































