ATSH/ Në qytetet e Elbasanit dhe Cërrikut po zhvillohet një projekt i rëndësishëm rinovimi për ndërtesat shumëfamiljare, me fokus në efikasitetin energjetik.
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se ky projekt ka për qëllim kryesor kursimin e energjisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për banorët e zonave të përfshira.
Projekti parashikon rinovimin e 4 ndërtesave me sipërfaqe 6194 m2. Përfitues do të jenë 75 familje.
Investimi përfshin ndërhyrje të ndryshme, si izolimi termik i ndërtesave, vendosja e dritareve efikase dhe përdorimi i teknologjive të qëndrueshme.
Këto masa synojnë të reduktojnë ndjeshëm konsumin e energjisë, si dhe ndotjen mjedisore, duke sjellë përfitime direkte për komunitetin dhe mjedisin.
Sipas ministres Balluku, projekti është pjesë e një strategjie më të gjerë të qeverisë për të rritur standardet e jetesës në vend.
/a.gj/a.f/r.e/






























