TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Në bashkinë Lezhë nisi sot procesi i shembjes së objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Lezhë.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu bëri të ditur se në listën e objekteve që do të shemben është edhe shkolla “Llesh Nik Daka” në Shënkoll, e cila, tha ai, do të rindërtohet e re dhe shumë më e mirë nga sa ka qenë.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkia të zhvilluar pak ditë më parë u vendos prishja e 10 objekteve të dëmtuara nga tërmeti për ti hapur rrugë nisjes së programit të rindërtimit. Objektet e vendosura për tu shembur janë 2 shkolla, 7 pallate dhe një objekt 2 katësh.

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të mëdha në territorin e bashkisë së Lezhës.

Sipas të dhënave zyrtare, dëmi i shkaktuar nga tërmeti në këtë bashki është 35.6 milionë euro. Janë dëmtuar 2463 banesa, 10 shkolla, 1 Qendër Shëndetësore si edhe 10 biznese.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar me magnitudë 6,3 ballë në Shqipëri, shkaktoi 51 viktima, plagosi 900 të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz. Në total prej kësaj katastrofe natyrore u prekën 202.291 persona.

ATSH