ATSH – I. Vata/ Në sheshin Skënderbej nisën mbrëmjen e sotme Javët Ndërkombëtare të Kulturës, me moton “Shqipëria mikpret botën”, nismë e Qeverisë shqiptare ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës si dhe vende të Bashkimit Europian.
Të parët që hapin këtë udhëtim janë francezët, për të vijuar me Bashkimin Europian; më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedi, Egjipt, Kinë, Gjermani, Japoni, Austri, Turqi, Hungari, Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e përmbyllur me një festë, me rastin e Festave të Nëntorit me Kosovën.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, në fjalën e mbajtur në hapje të ceremonisë u shpreh se “kjo është një nga nismat më të bukura të qeverisë shqiptare që starton sot e do të përsëritet vit pas viti për të treguar më të bukurën e çdo kombi dhe më të bukurën e shqiptarisë”.
“Në rrjedhën e shekujve kemi treguar se shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Është një përkim i bukur që në këtë muaj të shenjtë mbushur me kremtime dhe adhurime për zotin ne presim kaq shumë miq bashkë. Në këtë atmosferë festive i hapim udhën Javëve Ndërkombëtare të Kulturave, një nga nismat më të bukura dhe më të reja të qeverisë shqiptare që starton sot dhe përsëritet vit pas viti për të treguar më të bukurën e çdo kombi dhe shqiptarisë”, tha ajo.
Margariti shtoi se Java Kulturore Ndërkombëtare nis sot dhe do të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. /j.p/



























