TIRANË, 18 qershor/ATSH/ -Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se një fije peri e ndan realizimin deri në fund të marrëveshje së arritur në Këshillin Politik nga grisja e asaj marrëveshje.
Është fakt, tha Rama, “që shumica dërrmuese e shqiptarëve as nuk pëlqejnë atë marrëveshje dhe nuk i duan listat e mbyllura.
Rama tha se, “ajo që unë i them sot Lulzim Bashës dhe Peç o Vasilit është që mos vazhdoni të dilni dhe të shani. Mos vazhdoni të dilni dhe të shantazhoni. Mos nxirrni lloj-lloj të papunësh të kësaj foltoreje që për të siguruar rrogën e tyre punoni si sharës profesionistë këtu në këtë foltore për të sulmuar PS. Mos vazhdoni ta bëni këtë. Ajo marrëveshje është një marrëveshje që sigurisht ka krijuar kushtet pozitive në raport me klimën dhe natyrisht dhe në raport me partnerët, por për mua personalisht ajo nuk është reformë. Ai është një kthim i madh mbrapa i vetëdijshëm që e kemi bërë të gjithë ne që jemi në këtë krah. Dhe e kemi bërë për të njëjtat arsye që thotë dhe znj.Hajdari në funksion të faktit që Shqipëria të mos bëhet më prapë muhabet kafenesh lart e poshtë nëpër Europë, por një fije peri e ndan realizimin deri në fund të asaj marrëveshje nga grisja e asaj marrëveshje. Dhe këtë fije peri duhet ta ruajë mirë Lulzim Basha bashkë me Peço Vasilin dhe gjithë ata. Se nuk jua kemi borxh që të na sulmojnë çdo ditë, të shpifin çdo ditë, të akuzojnë çdo ditë. Ndërkohë që dua s’dua unë personalisht është fakt që shumica dërrmuese e shqiptarëve as nuk pëlqejnë atë marrëveshje dhe nuk i duan listat e mbyllura”, u shpreh Rama.
“Znj.Hajdari më the që bëjmë një diktaturë duale unë dhe Luli. Unë hajde se për shkaqe të ndryshme që unë them që nuk janë të vërteta, hajde dhe po më pikturoni si diktator. Po unë me Lulin të bëjmë diktaturë. Mendoj se do të ishte e kundërta. Do të ishte një zhvillim i rëndësishëm demokratik dhe e kam shumë seriozisht”, u shpreh Rama.
“Dhe mos kini asnjë dyshim që Shqipëria nuk është kërcënuar, nuk kërcënohet dhe nuk do të kërcënohet nga asnjë diktaturë si me lista të hapura, si me lista të mbyllura. Si me koalicione, si pa koalicione. Si me votën e diasporës, si pa votën e diasporës. Si me deputet Strazimirin si me deputet Miristrazon, nuk ka diktaturë në Shqipëri”, tha Rama.
“Sa i përket këtij procesi ne duhet të mbyllim marrëveshjen dhe ju keni bërë gabim në këndvështrimin tim që keni braktisur Këshillin. Marrëveshja është marrëveshje dhe ne do të respektojmë marrëveshjen. Dhe pastaj çfarë doni ju të diskutoni këtu me ne për të arritur këtu një mirëkuptim për të votuar, kjo është temë që pason”, u shpreh Rama.
“Diskutimet këtu janë diskutime këtu. Ata që janë jashtë nuk mund t’i imponojë këtij parlamenti se çfarë do të diskutohet këtu që të jemi shumë të qartë”, theksoi Rama.
Ndër të tjera, Rama tha se listat e hapura kanë disa problematika, por nuk janë tabu.
Kryeministri Rama tha se, “unë nuk besoj një sekondë të vetme që listat e hapura sjellin demokracinë, sjellin rritje të cilësisë. Që do hapen listat dhe këtu do të vërshojë rinia dhe të gjithë të tjerët do të goditen nga vota. Nuk e tregon këtë asnjë eksperiencë. Listat e hapura kanë problematikat e tyre, padiskutim, por për mua nuk janë tabu”.
Rama tha se, “është absolutisht e pavërtetë që listat e hapura e kthekan kryetarin e një partie në një njeri si gjithë të tjerët. Ia hiqkan përgjegjësinë për listën e deputetëve, ndërkohë që lista e mbyllur na qenka bunkeri që e ngre kryetari. Është e pavërtetë, sepse në të gjitha rastet përgjegjësia e lidershipit është aty si u hap si u mbyll lista është përgjegjësi e lidershipit përmbajtja e asaj liste.
Por ama, shtoi Rama, “janë disa pyetje. Së pari nëse sot ju jeni në këtë parlament personalisht dhe gjithë gratë dhe vajzat që janë këtu kjo ka ardhur nga listat e mbyllura nuk ka ardhur nga listat e hapura. Kuotat e garantuara janë nga listat e mbyllura nuk janë nga listat e hapura. Transformimi i madh në përmbajtje i parlamentit, në të kundërt të asaj që thonë dhe sidomos balancimi gjinor është nga listat e mbyllura nuk është nga listat e hapura”.
“Sidoqoftë listat e hapura nuk janë tabu për mua. Doni t’i diskutojmë, patjetër, por as nuk mund të na impononi gjë as mos na kërcënoni që jo po këtu s’ka, këtu s’votohet se ndryshe kështu, ndryshe ashtu. Mos u bëni si ata që ikën se me kërcënime dhe me shantazhe PS vetëm e tundoni që t’ju tregojë sesa të vegjël jeni. Ju dhe ata bashkë. Mos na fusni në këtë tundim. Është koha për t’i dhënë një shembull të gjithëve, vetes në radhë të parë, që ne jemi në gjendje si shqiptarë, si përfaqësues të politikës nga të gjitha anët të gjejmë një zgjidhje në shqip, jo në anglisht”, tha Rama.
“Vota e diasporës për ne nuk është e harruar. Dhe më vjen shumë keq që ata që bëjnë lajme dhe ata që bëjnë diskutime kanë arritur deri nën pikën që të flasin për mashtrime. Në fakt është një sistem i tërë që do kohën e vet. Nuk është një fjalë goje. Por nuk është e harruar”, tha Rama.
“Nga ana tjetër kur vjen puna për koalicionet mos më bëni të flas. Është një deputet këtu që është produkti më domethënës i arsyes pse koalicionet nuk janë një unitet demokratik në program. Është një deputet që nuk ka votuar as për veten e vet. Është i pari dhe i fundit në historinë e planetit që nuk ka votuar veten e vet. Ka ardhur këtu deputet i PD. Ka bërë fushatë për mua, për PS dhe midis dy kohërave ka kapur dhe ai një drejtori”, u shpreh Rama.